RMV miraton ndryshime ligjore për dhurimin dhe transplantimin e organeve

Qeveria e RMV-së, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, miratoi sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi.

Sipas ndryshimeve të parashikuara, çdo qytetar madhor do të deklarohet gjatë vizitës te mjeku amë nëse pranon apo refuzon që, pas vdekjes, të jetë dhurues i organeve dhe indeve për qëllime shërimi. Ky qëndrim do të regjistrohet në sistemin kombëtar të evidencave elektronike në shëndetësi, “Termini im”. Po ashtu, ligji i jep mundësi secilit qytetar që ta ndryshojë këtë vendim në çdo moment.

Për herë të parë, këto ndryshime do t’i mundësojnë shtetit të krijojë një pasqyrë më të qartë për gatishmërinë e qytetarëve, si edhe për shkallën e informimit dhe besimit të tyre ndaj dhurimit të organeve.

Projektligji zgjeron edhe kategorinë e dhuruesve të gjallë. Krahas të afërmve që përfshiheshin deri më tani, do të përfshihen edhe familjarë të tjerë në vijë anësore deri në shkallën e katërt të farefisnisë, përfshirë edhe kushërinjtë e parë. Ndërkohë, mbetet në fuqi roli mbrojtës i komisionit etik, i cili do të konfirmojë se akti është vullnetar dhe se nuk ka asnjë formë presioni.

Ndryshimet parashohin gjithashtu masa të tjera për ta bërë procedurën më të lehtë, duke përfshirë edhe thjeshtimin e hapave administrativo-teknikë në procesin e përcaktimit dhe konfirmimit të vdekjes së trurit.

“Me këtë zgjidhje ligjore bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi në të cilin vullneti i qytetarit do të shprehet qartë, do të mbrohet më shumë dhe do të respektohet në mënyrë më konsekuente. Akti i dhurimit të organeve do të buronte nga një vendim i lirë dhe i informuar. Në të njëjtën kohë, me zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë krijojmë mundësi të reja për trajtim mjekësor, gjithmonë brenda kornizave të rrepta mjekësore, etike dhe ligjore”, thotë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Promo