UNICEF: Fëmijët në Maqedoninë e Veriut po përballen njëkohësisht me disa rreziqe klimatike

Një raport i ri global i UNICEF-it vlerëson se fëmijët në Maqedoninë e Veriut po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj disa kërcënimeve klimatike në të njëjtën kohë. Sipas të dhënave, shumica e tyre preken nga valët e të nxehtit, thatësirat dhe ndotja e ajrit.

Në njoftim thuhet se “Raporti i vitit 2026 mbi rreziqet klimatike për fëmijët zbulon se kërcënimet e paraqitura nga ndryshimet klimatike janë të përhapura në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë po ndikojnë në shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Rreth tre të katërtat e tyre preken nga thatësirat – 73 përqind, pothuajse nëntë në dhjetë fëmijë janë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit – 87 përqind dhe pothuajse të gjithë fëmijët – 99.9 përqind, janë të ekspozuar ndaj ndotjes së dëmshme të ajrit”.

Raporti nënvizon se pjesa më e madhe e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut përballen me disa rreziqe klimatike në të njëjtën kohë, gjë që shton mundësinë e pasojave të shumta në shëndet, në procesin e të nxënit dhe në zhvillimin e tyre në tërësi.

Sipas Leslie Miller, përfaqësuese e UNICEF-it, fëmijët në Maqedoni po rriten në kushte të një klime që po ndryshon, ku nxehtësia ekstreme, thatësirat dhe ndotja e ajrit, fatkeqësisht, janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm.

Njoftimi thekson se vendi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve, por presionet klimatike po shtohen dhe ndikimi i tyre negativ mbi shëndetin, arsimin dhe mirëqenien e fëmijëve duhet të zbutet sa më parë.

Megjithëse janë bërë përpjekje për të ulur cenueshmërinë e fëmijëve, në raport thuhet se vazhdojnë të ekzistojnë boshllëqe në sistem, sidomos në përfshirjen e mbrojtjes sociale. Për këtë arsye, fëmijët që vijnë nga familjet më të cenueshme mbeten më të rrezikuarit nga goditjet klimatike.

UNICEF kërkon veprime urgjente klimatike në Maqedoninë e Veriut me fokus te fëmijët, duke theksuar se ata janë në mënyrë disproporcionale më të cenueshëm ndaj rreziqeve klimatike dhe për këtë duhet të jenë përparësi në politikat që trajtojnë ndryshimet klimatike.

Në njoftim shtohet se “Nevojiten veprime të vazhdueshme për të ulur më tej emetimet e dëmshme dhe për të adresuar ndotjen e ajrit, për të forcuar sistemet e shëndetit, arsimit dhe mbrojtjes sociale dhe rezistencën e tyre ndaj goditjeve klimatike, si dhe për të inkurajuar dhe përgatitur fëmijët dhe të rinjtë për të marrë pjesë në adresimin e krizës klimatike dhe në proceset e vendimmarrjes që formësojnë të ardhmen e tyre”.

Sipas Miller, mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet klimatike është jo vetëm një nevojë urgjente, por edhe një mundësi.

Njoftimi i UNICEF-it përfundon me vlerësimin se “Duke investuar në shërbime cilësore sot, Maqedonia e Veriut do të mbrojë të drejtat e fëmijëve dhe do të ndërtojë një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë”./Telegrafi/

Promo