Nga aristokracia në Botëror: Kush është Gustaf Lagerbielke, baroni që po spikat me Suedinë?

Lajme

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë konsideruar prej vitesh si “mbretërit” e futbollit botëror, por kur bëhet fjalë për aristokracinë e vërtetë në Kupën e Botës 2026, vëmendja përqendrohet te mbrojtësi suedez Gustaf Lagerbielke.

Futbollisti 26-vjeçar ishte ndër figurat kryesore në fitoren e thellë 5-1 të Suedisë kundër Tunizisë, duke luajtur gjithë takimin dhe duke tërhequr vëmendje jo vetëm për paraqitjen në fushë, por edhe për prejardhjen e tij të pazakontë.


Ëndrra e tij për t’u bërë futbollist

Lagerbielke vjen nga një prej familjeve fisnike më të njohura në Suedi dhe mban titullin e baronit. Babai i tij, Johan Lagerbjelke, është kont, ndërsa familja ka një histori të gjatë aristokratike në vendin nordik.

“Është diçka e rrallë”, është shprehur ai në një intervistë, duke komentuar statusin e tij të veçantë në botën e futbollit profesionist.

I rritur në Djursholm, një nga zonat më të pasura pranë Stokholmit, Lagerbielke tregon se që në fëmijëri kishte një synim të qartë.

“Kur isha fëmijë, doja të bëhesha futbollist profesionist. Familja më ka mësuar të kem objektiva dhe të punoj për t’i arritur ato. Ata janë shumë të lumtur dhe krenarë për mua”, ka thënë mbrojtësi suedez.

Origjina familjare dhe “trashëgimia” e fronit

Prejardhja e tij aristokratike ka qenë shpesh një temë diskutimi gjatë karrierës.

Ai ka luajtur për disa klube në Suedi, mes tyre AIK, Sollentuna, Västerås, Elfsborg dhe Degerfors, përpara se të vijonte karrierën te Celticu në Skoci. Aktualisht, është pjesë e klubit portugez Braga.

Mediat britanike kanë raportuar se Lagerbielke është mes personave që teorikisht mund të trashëgojnë fronin suedez, duke e vendosur në vendin e 254-t në linjën e trashëgimisë. Megjithatë, vetë futbollisti e ka trajtuar me humor këtë pretendim, pasi e di se kjo nuk pritet të ndodhë dhe as nuk mund të realizohet sipas ligjeve suedeze.

“Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Që kjo të ndodhë, shumë njerëz duhet të largohen nga radha dhe sigurisht që nuk dua që kjo të ndodhë”, u shpreh ai me buzëqeshje.

Për momentin, Lagerbielke nuk mendon për titujt aristokratikë apo për fronin suedez. Synimi i tij mbetet vetëm futbolli dhe suksesi me kombëtaren në Kupën e Botës 2026.

“Të jesh pjesë e një prej fitoreve më të mëdha të Suedisë në historinë e Kupës së Botës është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, përfundoi mbrojtësi suedez.

Promo