Jose Mourinho po e çon përpara revolucionin e tij te Real Madridi, pa shfaqur asnjë hezitim për të ndërmarrë ndryshime të mëdha në repartin e mbrojtjes.
Defensiva e klubit madrilen tashmë ka kaluar ndryshime të rëndësishme gjatë afatit kalimtar të verës, pas afrimeve të Marc Cucurellas, Denzel Dumfries dhe Ibrahima Konates.
Megjithatë, trajneri portugez nuk duket i kënaqur vetëm me këto përforcime. Sipas gazetarit Miguel Serrano, Mourinho e ka përcaktuar objektivin e tij kryesor për mbrojtjen dhe bëhet fjalë për qendërmbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni.
Italiani 27-vjeçar vlerësohet si një nga mbrojtësit më të mirë në Evropë dhe prej kohësh ka qenë në radarin e klubeve të mëdha.
Më herët, Bastoni ishte një nga objektivat kryesorë të Barcelonës, por skuadra e drejtuar nga Hansi Flick u tërhoq gradualisht nga gara për transferimin e tij.
Gjithsesi, kalimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë. Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, e ka bërë të qartë se klubi nuk ka në plan të heqë dorë nga një prej shtyllave të ekipit.
“Ai kurrë nuk ka kërkuar të largohet. Është shumë i lumtur këtu dhe ne nuk jemi një klub që shet lojtarët e tij”, deklaroi Marotta.
Pavarësisht këtij qëndrimi, Real Madridi vazhdon të mbetet i interesuar për reprezentuesin italian dhe mund të tentojë me një ofertë të rëndësishme në javët e ardhshme.
Sipas raportimeve, kartoni i Bastonit vlerësohet nga 50 deri në 70 milionë euro, një shifër që nuk do të përbënte ndonjë problem të madh për gjigantin spanjoll nëse Mourinho vendos ta bëjë italianin prioritet absolut për repartin defensiv.//


