Ish-mesfushori i Arsenalit habit me deklaratën: Anglia ka futbollistë dukshëm më të mirë se Saka

Lajme

Ish-mesfushori i Arsenalit, Emmanuel Petit, ka shprehur kritika të forta ndaj Bukayo Sakas, duke thënë se anësori nuk e meriton të jetë titullar me Anglinë në Kupën e Botës.

Edhe pse Arsenali e fitoi titullin e Ligës Premier, Petit vlerëson se forma e Sakas ka pësuar rënie të ndjeshme, pasi ai shënoi vetëm 11 gola në 49 paraqitje gjatë këtij sezoni.


Sipas francezit, para nisjes së turneut, kombëtarja angleze ka në dispozicion zgjedhje shumë më të mira.

Në një prononcim për talkSPORT, ish-përfaqësuesi i Francës u tregua mjaft kritik ndaj paraqitjeve të fundit të yllit të Arsenalit.

Ndonëse Saka dha kontribut në suksesin e “Topçinjve” në Ligën Premier dhe në arritjen deri në finalen e Ligës së Kampionëve, Petit mendon se pesha e tij në lojë ka rënë ndjeshëm.

“Për mua, Saka nuk vjen pas një sezoni të mirë me Arsenalin. Këtë e pamë edhe në finalen e Ligës së Kampionëve”, u shpreh Petit.

“Ai nuk po arrin më të bëjë diferencën dhe unë besoj se ka lojtarë të tjerë që e meritojnë më shumë një vend në formacionin titullar”.

Pavarësisht sezonit shumë pozitiv të Arsenalit, legjenda franceze nuk është e bindur ta mbështesë 24-vjeçarin si një zgjedhje të padiskutueshme për Anglinë.

“Jam një admirues i madh i Sakas, por duhet të jem i sinqertë. Po të isha bashkëlojtar i tij, nuk do ta kuptoja këtë situatë. Ka shumë futbollistë të fortë dhe të talentuar që aktualisht janë më të mirë se Saka”.

Sulmuesi anglez hasi në vështirësi të mëdha në finalen evropiane dhe sezonin e mbylli me 11 gola në 49 ndeshje në të gjitha garat.

Prej tyre, shtatë gola i realizoi në 31 paraqitje në Ligën Premier, shifra që Petit i sheh si të pamjaftueshme për t’i siguruar një vend titullari me Anglinë në Kupën e Botës.

Promo