Polemikë në përfaqësuesen e Koresë së Jugut: Talljet ndaj Sonit nga gazetarë sjellin reagim të menjëhershëm nga federata

Lajme

Federata Koreane e Futbollit (KFA) ka publikuar një deklaratë ku dënon rrjedhjen e fundit të një bisede, në të cilën disa gazetarë pretendohet se talleshin me kapitenin e kombëtares, Heung-min Son. Ngjarja ndodhi gjatë përgatitjeve për Kupën e Botës dhe, sipas raportimeve, çoi në vendimin e ekipit të Koresë së Jugut për t’u mbyllur plotësisht për gazetarët vendas.

Football Asian raportoi se gazetarët u incizuan teksa tallnin shërbimin ushtarak të Sonit, duke thënë se ai “as nuk e kreu siç duhet dënimin”. Soni u lirua nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak prej 21 muajsh pasi fitoi Lojërat Aziatike 2018 me ekipin kombëtar. Në vend të tij, ai kreu tre muaj stërvitje bazë ushtarake, por këto komente sollën pasoja për gazetarët.


Në deklaratën e KFA-së thuhet se federata shpreh keqardhje për komentet e papërshtatshme të bëra nga disa anëtarë të medias gjatë stërvitjes së ekipit kombëtar në kampin bazë në Guadalajara, ku skuadra po përgatitet për Kupën e Botës 2026.

“Taegeuk Warriors, të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë në përfaqësimin e Koresë së Jugut në skenën botërore në Kupën e Botës, po bëjnë maksimumin për të përmbushur mbështetjen dhe pritshmëritë e kombit. Megjithatë, rrjedhja e fundit e bisedave të papërshtatshme mes disa pjesëtarëve të medias në vendin e stërvitjes ka shkaktuar tronditje dhe zhgënjim të madh brenda ekipit”, thuhet në pjesën hyrëse të deklaratës.

“Federata Koreane e Futbollit i respekton aktivitetet mediatike dhe rolin e medias. Megjithatë, raportimi nga terreni duhet të mbështetet në respekt dhe besim të ndërsjellë, duke vënë në plan të parë respektin dhe mbrojtjen e lojtarëve”.

Për këtë arsye, federata u bëri thirrje mediave dhe gazetarëve që të tregojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj ekipit kombëtar dhe futbollistëve, në mënyrë që të shmanget përsëritja e rasteve të ngjashme.

“U bëjmë thirrje mediave dhe anëtarëve të komunitetit të futbollit të bashkohen në mbështetje të ekipit të futbollit të Koresë së Jugut, që ai të japë paraqitjen e tij më të mirë në Kupën e Botës. Federata Koreane e Futbollit do të vazhdojë t’i japë përparësi mbrojtjes së lojtarëve dhe të punojë për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm mediatik”, përfundon deklarata.

Nga ana tjetër, Koreja e Jugut e nisi me fitore ndaj Republikës Çeke me rezultat 2-1 në raundin e parë, duke lënë përshtypje me lojën e saj, ndërsa në ndeshjen e ardhshme përballet me Meksikën dhe në të tretën me Afrikën e Jugut.

Promo