Klubi zviceran Yverdon Sport ka zyrtarizuar të hënën transferimin e sulmuesit kosovar Shkëlqim Demhasaj.
Sulmuesi 30-vjeçar vjen nga Neuchatel Xamax dhe ka nënshkruar kontratë që do ta mbajë te Yverdon deri në qershor të vitit 2029.
I lindur në Schaffhausen të Zvicrës, Demhasaj ka përfaqësuar Kosovën në nivel ndërkombëtar dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Lucernen, Grasshopperin dhe Winterthurin.
Me gjatësi 1.91 metra, ai vjen pas sezonit më të mirë të viteve të fundit, duke qenë golashënuesi më i mirë i Challenge League në edicionin 2025/26. Sulmuesi realizoi 21 gola dhe regjistroi gjashtë asistime në 32 paraqitje në kampionat me fanellën e Neuchatel Xamax.
Yverdon shpreson që përvoja dhe efikasiteti i Demhasajt para portës të ndihmojnë skuadrën në objektivat e saj për sezonet e ardhshme. Transferimi i tij konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të klubit zviceran./Telegrafi/


