Një automjet me targa serbe është ndaluar sot në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, pasi dyshohet se kishte kaluar në territorin e Kosovës përmes rrugëve të paligjshme malore. Operacioni u realizua nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.
Gjatë kontrollit, brenda automjetit u gjetën 12 pako që përmbanin gjithsej 191 ujëmatës mekanikë, të përdorur për matjen e konsumit të ujit të ftohtë. Mjeti drejtohej nga një 38-vjeçar, shtetas i Kosovës dhe Serbisë.
Drejtuesi nuk kishte dokumente që të vërtetonin origjinën e mallrave. Sipas vlerësimit bazuar në çmimet e tregut, ngarkesa kap një vlerë mbi 9.000 euro, pa llogaritur detyrimet doganore të shmangura.
Dogana e Kosovës ka sekuestruar automjetin dhe mallrat, të cilat janë transportuar në terminalin doganor për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës dhe Dogana bëjnë të ditur se do të vijojnë bashkëpunimin për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës, si dhe të veprimtarive të tjera të paligjshme përgjatë kufirit shtetëror.
