Ylli senegalez para debutimit në Botëror: Synimi im është të bëhem futbollisti më i mirë në botë

Lajme

Anësori ofensiv i Senegalit, Iliman Ndiaye, ka bërë të ditur se dëshiron të hedhë hapin e ardhshëm në karrierën e tij dhe të konkurrojë në elitën e futbollit evropian.

Lojtari i Evertonit, i cili pas kalimit në Merseyside në vitin 2024 është shndërruar në një prej figurave më të pëlqyera nga tifozët, ka folur për sezonin 2025/26, të cilin e përshkruan si një edicion me luhatje.


“Në përgjithësi, sezoni ka qenë i mirë, por në aspektin personal mendoj se mund të kisha dhënë më shumë. Nisja ishte shumë pozitive, ndërsa gjysma e dytë nuk ishte në lartësinë që prisja”, u shpreh Ndiaye.

Ndonëse është përfolur se kalendari i ngjeshur mund të ketë ndikuar te forma e tij, 26-vjeçari nuk e konsideron lodhjen si shkakun kryesor të rënies në paraqitje.

“Nuk mendoj se problemi ka qenë lodhja. Besoj se ekipi në tërësi nuk ka qenë në nivelin e duhur. Mund të flitet për individët, por kur skuadra nuk funksionon siç duhet, është e vështirë të vlerësosh nëse një lojtar ka qenë i lodhur apo jo”.

Ndiaye theksoi po ashtu ambicien e tij për të luajtur më shumë në skenën evropiane, duke nënvizuar se dëshiron ta testojë veten në kompeticionet më të rëndësishme të kontinentit.

“Nuk besoj se kam zhvilluar mjaftueshëm ndeshje. Kam luajtur në Kupën e Kombeve të Afrikës, por për mua kjo nuk është e mjaftueshme. Dua të luaj në Evropë, në Ligën e Kampionëve, dua të jem pjesë e gjithë atyre sfidave të mëdha”.

Rrugëtimi i futbollistit senegalez është shoqëruar nga këmbëngulja dhe tejkalimi i pengesave, por ai është i bindur se ende nuk ka arritur majën e potencialit të tij.

“Kur e shoh rrugën time dhe gjithçka që kam kaluar, kam arsye të jem krenar. Por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalem këtu. Kur arrin një nivel të caktuar, dëshiron të vazhdosh më tej dhe të realizosh gjëra edhe më të mëdha”.

Në prag të sfidës së parë të Senegalit në Kupën e Botës 2026, Ndiaye ritheksoi se objektivi i tij më i madh mbetet i njëjtë.

“Që kur isha fëmijë, kam pasur të njëjtën ëndërr: të bëhem lojtari më i mirë në botë. Dua të fitoj trofe me klubin dhe me kombëtaren, dua t’i bëj njerëzit krenarë. Nuk dua të kem asnjë peng në fund të karrierës sime”, përfundoi ylli i Senegalit.

Promo