Mesfushori i RD Kongos, Ngal’ayel Mukau, ka pranuar se kishte pritur më shumë nga Cristiano Ronaldo në ndeshjen mes Portugalisë dhe RD Kongos, e mbyllur 1-1 në kuadër të Kupës së Botës 2026.
Futbollisti i Lille, që pati mundësinë të përballej me një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit, u shpreh se mosha tashmë ka ndikuar te loja e yllit portugez, edhe pse përballja me të mbetet një privilegj i veçantë.
“E dinim se ai nuk është më i njëjti si dikur, kështu që e kuptonim se do të vraponte më pak në fushë. Ndoshta prisja pak më shumë nga ai, por kjo është krejt normale. Ai është në moshë. Megjithatë, të luash kundër Cristiano Ronaldos është një nder i madh”, deklaroi Mukau.
Ronaldo, i cili edhe në moshën 41-vjeçare vazhdon të jetë figura kryesore e Portugalisë, nuk arriti të linte ndikimin e tij të zakonshëm në këtë takim, ndërsa RD Kongo mori një rezultat pozitiv përballë njërit prej favoritëve të turneut.
Fjalët e Mukaut kanë marrë vëmendje të madhe në mediat ndërkombëtare, pasi vijnë nga një kundërshtar që u përball drejtpërdrejt me pesë herë fituesin e Topit të Artë.
Gjithsesi, Mukau nënvizoi se respekti për Ronaldon mbetet jashtëzakonisht i madh, pavarësisht se niveli i tij fizik nuk është më ai i viteve të tij më të mira.


