Sulmuesi i Liverpoolit, Cody Gakpo, ka zbuluar prapaskenat se sa afër ishte që të bëhej pjesë e Manchester United, para se të nënshkruante për Liverpoolin në janar të 2023.
Gakpo dukej i gatshëm që t’i bashkohej Unitedit në verën e 2022 kur Erik ten Hag u emërua trajner në “Old Trafford”, por kjo lëvizje nuk u bë realitet.
Më pas Liverpooli bëri përpjekjet e tyre dhe arritën që ta transferojnë Gakpon gjatë afatit kalimtar dimëror. Holandezi tashmë ka folur për garën e dyfishtë që u bë për transferimin e tij duke zbuluar se sa afër ishte që t’i bashkohej rivalit të përbetuar të Liverpoolit.
“Mendoj se ishte verën para transferimit tim kur unë isha në kontakt me Manchester United madje kam biseduar edhe me trajnerin gjithashtu, natyrisht ai është holandez. Por, në fund lëvizja nuk eci tutje dhe kaq. Në dimër Liverpool erdhi dhe ishte vendimi më i mirë për mua”, ka thënë Gakpo.
Pasi tentativat për transferimin e Gakpos dështuan, eventualisht Ten Hag kërkoi transferimin e Antonyt nga Ajaxi, i cili deri më tash ka dëshmuar të jetë një ndër blerjet më të dobëta në histori të klubit.
Gakpo në këtë edicion të garave është paraqitur në 24 ndeshje në Ligën Premier, duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar tri asistime. /Telegrafi/
sport,liverpool,Manchester United,Premier League , liverpool,Manchester United,Premier League