Ylli i Kupës së Botës u ndalua për korrupsion dhe pastrim parash pak ditë përpara nisjes së turneut

Lajme

Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Elye Wahi, i cili aktualisht është pjesë e Kupës së Botës 2026, raportohet se është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në një skandal të mundshëm të kurdisjes së ndeshjeve, më pak se dy javë para fillimit të turneut.

Sipas raportit të The Athletic, 23-vjeçari, që ishte titullar në fitoren 1-0 të Bregut të Fildishtë ndaj Ekuadorit më 15 qershor, u ndalua nga policia franceze më 29 maj.


Hetimi ka të bëjë me dyshimet se Wahi kishte marrë me qëllim një karton të verdhë gjatë një ndeshjeje ndaj Metzit, kur luante si i huazuar te Nice në sezonin 2025/26 të Ligue 1.

Burime pranë çështjes kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në vijim, megjithëse kjo nuk e ka penguar lojtarin të udhëtojë dhe të luajë në Kupën e Botës.

Arrestimi ndodhi pak pasi Wahi shënoi dy gola kundër Saint-Etienne, duke ndihmuar Nicen të siguronte qëndrimin në elitën e futbollit francez.

Pavarësisht ndalimit, sulmuesi më pas udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për Botërorin 2026 dhe nuk hasi vështirësi për të hyrë në vend, pasi deri tani nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare ndaj tij.

Në një deklaratë për The Athletic, zyra e prokurorit publik në Marseille konfirmoi arrestimin e futbollistit.

“Mund të konfirmojmë se një futbollist 23-vjeçar, që aktivizohet në Ligue 1 të Francës, u arrestua më 29 maj në kuadër të një hetimi të hapur nga Prokuroria e Marseille për dyshime mbi mashtrim të organizuar, korrupsion sportiv të organizuar, posedim të të ardhurave nga aktivitet kriminal dhe pastrim parash”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, autoritetet franceze ende nuk kanë ngritur akuza formale ndaj Wahit dhe çështja vazhdon të mbetet nën hetim.

Promo