Wirtz, Isak dhe Diomande spikasin në Botëror, Liverpooli sheh te yjet e turneut bazat e ringritjes

Lajme

Trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, po e përdor Kupën e Botës 2026 si një mundësi të shkëlqyer për të analizuar lojtarët që ka në dispozicion, por edhe për të dalluar afrimet e mundshme për sezonin e ardhshëm.

Pas një edicioni zhgënjyes, në të cilin Liverpooli nuk arriti të mbrojë titullin e Ligës Premier, tekniku spanjoll ka nisur procesin e rindërtimit të skuadrës, ndërsa paraqitjet e futbollistëve në Botëror po i japin të dhëna të vlefshme.


Wirtz synon rikthimin

Një nga futbollistët që po ndiqet nga afër është Florian Wirtz. Mesfushori gjerman, i ardhur me shumë pritshmëri nga Bayer Leverkusen për 116 milionë funte, nuk mundi të përmbushte atë që pritej prej tij në sezonin e parë në “Anfield”.

Gjithsesi, në triumfin 7-1 të Gjermanisë ndaj Curacaos, 23-vjeçari shfaqi cilësitë që e kthyen në një prej talenteve më të vlerësuara në Evropë.

Duke vepruar në krahun e majtë, Wirtz ishte mes lojtarëve më të dalluar, duke krijuar raste dhe duke qenë vazhdimisht kërcënues në fazën sulmuese.

Iraola shpreson të gjejë rolin më të përshtatshëm për gjermanin dhe ta rikthejë në nivelin që kishte treguar te Bayer Leverkusen.

Van Dijk lider, Gakpo ende larg formës më të mirë

Virgil van Dijk vazhdon të mbetet një nga pikat më të forta të Liverpoolit. Mbrojtësi holandez shënoi një gol dhe u shpall lojtari i ndeshjes në barazimin 2-2 të Holandës kundër Japonisë.

Edhe Ryan Gravenberch pati një paraqitje të mirë, duke asistuar në golin e Van Dijkut dhe duke ndihmuar edhe në realizimin e golit të dytë të holandezëve.

Nga ana tjetër, Cody Gakpo vijoi të hasë vështirësi. Sulmuesi i krahut nuk ia doli të bënte diferencën ndaj Japonisë, duke konfirmuar luhatjet në formë që e kanë shoqëruar edhe gjatë sezonit të fundit te Liverpooli.

Diomande, emri që po fiton vëmendje

Një tjetër lojtar që ka rënë në sy të drejtuesve të Liverpoolit është Yan Diomande. Talenti 19-vjeçar i Bregut të Fildishtë zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në fitoren 1-0 ndaj Ekuadorit.

Anësori i ri krijoi pesë raste për gol dhe tregoi shpejtësi, teknikë dhe guxim në duelet një kundër një. Liverpooli dhe Paris Saint-Germain raportohet se janë klubet më të interesuara për të.

Duke pasur parasysh suksesin e Iraolës në zhvillimin e lojtarëve të rinj gjatë periudhës së tij te Bournemouth, Diomande shihet si një profil shumë i përshtatshëm për projektin e ri të trajnerit spanjoll.

Isak rikthen optimizmin në “Anfield”

Lajmi më pozitiv për Iraolën mund të ketë ardhur nga Alexander Isak. Sulmuesi suedez, i cili kaloi një sezon të vështirë për shkak të dëmtimeve dhe mungesës së formës, shkëlqeu në fitoren 5-1 të Suedisë ndaj Tunizisë.

Isak shënoi një gol, dha një asist dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Paraqitja e tij përbën një sinjal inkurajues për Liverpoolin, i cili do të ketë nevojë për versionin më të mirë të suedezit në sezonin e ardhshëm.

Me Botërorin që sapo ka nisur, Iraola po mbledh informacione të rëndësishme për të ardhmen e Liverpoolit, teksa synon ta rikthejë klubin mes pretendentëve kryesorë në Angli dhe Evropë.

Promo