Vit i shkëlqyer në planin personal – Kenan Haxhihamza ndahet nga Drenica

Lajme

Portieri nga Rahoveci, Kenan Haxhihamza, tashmë është futbollist i lirë pas skadimit të kontratës me Drenicën, duke i dhënë fund një sezoni tejet të suksesshëm në aspektin personal.

29-vjeçari ishte ndër futbollistët kyç të skuadrës drenicase, duke spikatur me pritje vendimtare përgjatë gjithë kampionatit. Roli i tij ishte thelbësor në përmbushjen e synimit të klubit, pasi Drenica ia doli ta shmangte barazhin vetëm në xhiron e fundit të sezonit.


Si rezultat i paraqitjeve shumë të mira, Haxhihamza u përfshi disa herë në Formacionin e Javës dhe u vlerësua edhe si “Ylli i Javës”, duke dëshmuar nivelin e lartë që mbajti gjatë gjithë edicionit.

Me një karrierë të pasur në futbollin e Kosovës, ku më herët ka mbajtur veshur fanellat e Gjilanit, Ballkanit, Dukagjinit dhe së fundmi të Drenicës, portieri me përvojë pritet të jetë ndër emrat më të kërkuar në afatin kalimtar.

Në këtë mënyrë, Drenica mbetet pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm të sezonit të kaluar, ndërsa mbetet e hapur të shihet se cili do të jetë hapi i ardhshëm në karrierën e Kenan Haxhihamzës.

Promo