Vieira e sheh Olisen me potencial për të fituar Topin e Artë

Lajme

Legjenda e futbollit francez, Patrick Vieira, ka dhënë një vlerësim tejet të lartë për Michael Olise, duke thënë se ylli i Bayern Munichut ka potencialin të arrijë nivelin e Zinedine Zidane dhe madje një ditë të fitojë Topin e Artë.

Në një intervistë për L’Equipe, Vieira theksoi se është i bindur që talenti, kreativiteti dhe rritja e shpejtë e Olises e bëjnë atë një nga lojtarët më premtues të gjeneratës së tij.


“Koha do ta tregojë nëse ai do të bëhet një Zidane, një Platini apo një futbollist i atij niveli. Por për një gjë jam i sigurt: ai e ka këtë potencial. Ai ka potencialin e Zidane. Ka atë kreativitet, atë finesë dhe atë efikasitet që e veçojnë”, u shpreh Vieira.

Ish-kapiteni i Francës vlerësoi po ashtu sezonin shumë të mirë që Olise po kalon te Bayern Munichu, duke e cilësuar atë si provë të përparimit të tij të jashtëzakonshëm.

“Ajo që ka bërë me Bayernin këtë sezon është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Ai është një lojtar që, me më shumë eksperiencë në nivel klubesh dhe me kombëtaren e Francës, do të piqet edhe më shumë. Dhe kur të ndodhë kjo, ai do të shpërthejë plotësisht”, shtoi Vieira.

Ish-mesfushori francez shkoi edhe më tej me vlerësimin e tij, duke e cilësuar Olisen si një kandidat të ardhshëm për çmimin individual më prestigjioz në futboll.

“Ai është një fitues i ardhshëm i Topit të Artë, pa asnjë dyshim. Kupa e Botës do t’i japë edhe më shumë vetëbesim dhe më pas ai do të shpërthejë plotësisht në skenën botërore”, përfundoi Vieira.

Promo