Derbi Partizani-Tirana që do të luhet ditën e premte në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, po pritet me padurim nga të gjithë. Sfida e vlefshme për javën e 24-të të “Abissnet Superiore”, nuk luhet vetëm për 3 pikët, por për kryeqytetin. Diçka për të cilën këto dy ekipe kanë “luftuar” historikisht. Para kësaj ndeshje prestigji janë “rikthyer” në derbi edhe protagonistë të së shkuarës.
Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Newsport.al”, Vesel Limaj është rikthyer të flasë për derbin, ndeshje në të cilën ai ka shijuar edhe golin. Limaj tregon momentet më të bukura të tijat te Tirana, ku përmend golin në derbi dhe padyshim titullin kampion të fituar në vitin 2022. Madje këtë të fundit e vendos para aventurës së tij me ekipin e Ballkanin në Conference League. Mesfushori 27-vjeçar gjithashtu tregon se gjatë kësaj merkato dimërore, ka patur bisedime me Dinamon dhe Partizanin për një rikthim të mundshëm në Superiore.
Si po shkon aventura juaj te Ballkani?
“Te Ballkani momentalisht ndihem shumë mirë. Këtu gjithçka po shkon mirë, besoj se në po bëjmë një punë shumë të mirë. Momentalisht ne ndodhemi në vendin e parë dhe shpresoj që të mbajmë këtë ritëm dhe të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit.”
U përfolët për transferim te Dinamo ose Partizani, sa të vërteta janë?
“Po është shumë e vërtetë që kanë patur bisedime, por të them të drejtën, më shumë nuk dija as unë. Jam në kontratë me Ballkanin dhe ndihem shumë mirë këtu. Jam i fokusuar maksimalisht te Ballkani për sa kohë të jem këtu. Kontrata ime është e vlefshme deri në vitin 2025 dhe nuk mendoj diçka tjetër për momentin. Momentalisht mendoj vetëm të luaj futboll dhe të arrijmë objektivat e klubit.”
Ëndrra më e madhe e juaja?
“Ëndrra ime më e madhe është një. Gjithmonë ëndërroj të eci sa më lart dhe një ditë të luaj një një kampionat të njohur.”
Të premten luhet derbi Partizani-Tirana, çfarë ndjesie ju jep kjo sfidë?
“Partizani-Tirana padyshim që është një ndeshje që të sjell ndjesi shumë të bukura. Është një ndeshje plot emocione për të gjithë dhe mendoj se të gjithë po e presin këtë sfidë me padurim.”
Cili është momenti juaj më i bukur në kohën kur ishit pjesë e Tiranës?
“Kam me të vërtetë shumë momente të bukura. Është e vështirë që të ndaj një nga të tjerat sepse janë me të vërtetë shumë. Por mund të them goli që kam shënuar në derbi, kur i dhashë fitoren Tiranës në “Air Albania”, por edhe ndeshjen e fundit në Elbasan kur e fituam kampionatin. Të shënosh gol në derbi është një ndjesi që nuk harrohet. Do mbetet gjithmonë në kujtimet e mia, ishte një nga ditët më të bukura për mua.”
Sipas jush, cila është pika e dobët dhe ajo e fortë e Tiranës?
“Pika e dobët e Tiranës mendoj se janë golat e pësuar. Tirana mendoj se ka pësuar shumë gola këtë vit dhe shpresoj që do e rregullojnë këtë gjë. Ndërsa pika e fortë është pikërisht e kundërta. Kanë një ekip që gjithashtu shënon shumë dhe janë ekipi i dytë me më së shumti gola të shënuara në këtë kampionat.”
Cili nga lojtarët e Tiranës mendoni se mund të jetë protagonist në derbi?
“Mendoj që Tirana ka shumë lojtarët që mund ta vendosin ndeshjen, pasi kanë një ekip kualitativ me shumë elementë cilësorë. Por në këtë ndeshje them që do të jetë Kristal Abazaj protagonist sepse është një lojtar që e njeh shumë mirë portën.”
Si e shihni kalimin e Orges Shehit nga Tirana te Partizani?
“Shehi është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Ai është profesionist dhe duhet respektuar çdo vendim i tij. Jetës nuk i dihet asnjëherë. Orges Shehit i uroj shumë suksese kudo të punojë pasi kam patur një bashkëpunim të suksesshëm me të.”
Aventura në Conference League me Ballkanin apo tiulli kampion me Tiranën, cila iu ka shijuar më shumë?
“Aventura në Conference League me ekipin e Ballkanit ishte shumë e bukur. Ndeshjet në kompeticionet europiane të japin një ndjesi ndryshe. Gjithçka ishte organizuar në mënyrë perfekte dhe e kam shijuar maksimalisht. Por normalisht të fitosh titullin është diçka tjetër dhe mund të them se e kam shijuar më shumë.” /newsport.al/
sport,Ballkani,tirana,vesel limaj , Ballkani,tirana,vesel limaj