Venezia paraqet ofertë 6-milionëshe për Albion Rrahmanin, por Sparta Praga synon më shumë

Lajme

Klubi italian i Serie A, Venezia, ka dorëzuar një ofertë zyrtare në vlerë prej 6 milionë eurosh për sulmuesin e Sparta Pragës, Albion Rrahmani.

Futbollisti kosovar mbetet një objektiv i rëndësishëm për skuadrën e sapongjitur në elitën e futbollit italian, e cila synon të përforcohet për edicionin e ardhshëm.


Sipas raportimit të “Triventegoal”, Venezia e ka nisur zyrtarisht ofertën prej 6 milionë eurosh, por kjo shumë nuk e ka bindur klubin çek, që e çmon lojtarin rreth 10 milionë euro.

“Gjatë orëve të fundit, Venezia i ka dërguar Sparta Pragës një ofertë prej 6 milionë eurosh. Për momentin, klubi çek e ka refuzuar atë dhe po kërkon 10 milionë euro”, thuhet mes të tjerash në raportim.

Nga ana tjetër, mbetet ende e paqartë nëse kjo marrëveshje do të mbyllet, për shkak të shumës së lartë që po kërkon Sparta Praga.

Ndërkohë, Rrahmani pati një sezon të shkëlqyer edicionin e kaluar, duke realizuar 16 gola dhe duke regjistruar katër asistime në të gjitha garat, në 49 paraqitje.//

Promo