Vedat Muriqi është shprehur me emocion dhe krenari për rikthimin te Fenerbahçe, duke nënvizuar se kjo fazë e re në karrierën e tij ka një domethënie shumë më të madhe sesa thjesht një kthim i zakonshëm.
Pas eksperiencës në Spanjë me Mallorcan, ku kaloi një periudhë të rëndësishme në La Liga, sulmuesi kosovar është rikthyer në Stamboll. Pasi Mallorca nuk arriti të sigurojë mbijetesën, ai zgjodhi të kthehej te klubi turk, fanellën e të cilit e kishte veshur edhe gjatë sezonit 2019/2020.
Në një prononcim për televizionin e Fenerbahçes, Muriqi foli për ndjenjat e tij dhe falënderimin ndaj klubit për besimin e dhënë edhe një herë.
“Është burim krenarie të jem këtu. E dija që më ka munguar ky vend prej momentit kur erdha në klub, por tani e kuptoj se sa shumë më ka munguar. Më kanë dhënë një mundësi tjetër në këtë klub të madh”.
Ai theksoi gjithashtu peshën që ka Fenerbahçe për të, duke e veçuar atë nga çdo përvojë tjetër që ka pasur më parë.
“Ky klub i madh është si asnjë tjetër. Kam pasur mundësi dhe kam fituar përvojë në Evropë, por madhështia e Fenerbahces është vërtetë diçka tjetër”, ka thënë fillimisht Muriqi.
Duke u ndalur te rrugëtimi i tij si futbollist, përfaqësuesi i Kosovës tha se tashmë rikthehet në Turqi si një lojtar më i formuar dhe më i fortë.
“Po kthehem tjetër lojtar. Kam fituar përvojë. Kam parë shumë gjëra të ndryshme. Vedati 25-vjeçar ka shkuar, tani është një Vedat me më shumë përvojë. Por është një Vedat shumë më i uritur se kur ishte 25-vjeçar”, u shpreh ai.
Muriqi foli edhe për objektivat e tij, duke theksuar se dëshiron të japë maksimumin në çdo formë të mundshme për ekipin.
“Qëllimi im është të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur. Asnjëherë nuk i vë synim vetes në fillim të edicionit. Qëllimi është të kontribuoj plotësisht për klubin në një mënyrë. Me gola, asistime, me shpirt luftarak, duke qenë mentor jashtë fushe”.
Në fund, ai e bëri të qartë se synimi kryesor mbetet fitimi i titullit dhe se është i gatshëm të bëjë gjithçka për Fenerbahçen.
“Dua të kontribuoj sa më shumë të jetë e mundur. Synimi kryesor është titulli i kampionit dhe mendoj se do ta fitojmë titullin me kontributin e të gjithëve. Jam i gatshëm të bëj çdo gjë që kërkohet për Fenerbahcen”, përfundoi Muriqi.


