UEFA ka bërë publike vendimet më të fundit të Organit të Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB), ku mes klubeve të ndëshkuara për detyrime të pashlyera përfshihet edhe Ballkani nga Kosova.
Sipas njoftimit zyrtar të UEFA-s, Ballkani është penalizuar me 200 mijë euro për shkak të detyrimeve të prapambetura ndaj klubeve të tjera, punonjësve apo autoriteteve tatimore dhe sociale gjatë sezonit 2025/26.
Krahas gjobës financiare, klubi nga Suhareka ka marrë edhe një paralajmërim të fortë nga UEFA. Për shkak të rrethanave rënduese, që lidhen me përsëritjen e shkeljeve dhe me vonesat e detyrimeve për më shumë se 90 ditë, Ballkanit i është caktuar edhe një masë e pezulluar për përjashtim nga garat evropiane.
Kjo nënkupton se Ballkani rrezikon të përjashtohet nga kompeticionet e UEFA-s ku mund të kualifikohet në të ardhmen, nëse gjatë sezoneve 2026/27 dhe 2027/28 përsëriten të njëjtat probleme financiare. Kjo masë mbetet e pezulluar për një periudhë prove prej dy sezonesh.
Ky vendim përbën një sinjal alarmi për klubin kosovar, i cili në vitet e fundit ka qenë përfaqësuesi më i suksesshëm i futbollit të Kosovës në skenën evropiane, duke siguruar disa herë pjesëmarrjen në fazat grupore të garave të UEFA-s.
Përveç Ballkanit, UEFA ka vendosur gjoba edhe ndaj disa klubeve të tjera evropiane. CFR Cluj nga Rumania është ndëshkuar po ashtu me 200 mijë euro dhe ka marrë të njëjtën masë të pezulluar për përjashtim. Buduçnost Podgorica është gjobitur me 95 mijë euro, Ordabasy Shymkent me 75 mijë euro, Sarajevo me 20 mijë euro dhe Athletic Bilbao me 10 mijë euro.
Në të njëjtën kohë, Dinamo Batumi nga Gjeorgjia është përjashtuar nga kompeticionet evropiane në rastin e ardhshëm kur të sigurojë kualifikimin, pasi nuk ka respektuar vendimet e mëparshme të UEFA-s.


