Në raundin e dytë të Kupës së Botës, Turqia u mposht nga Paraguai me rezultat 1-0, duke humbur kështu mundësinë për të kaluar në fazën eliminatore të turneut, çka shkaktoi reagime të forta në vend.
Tifozët janë të zhgënjyer dhe besojnë se futbollistët i dështuan me humbjet ndaj Australisë dhe Paraguait, por autoritetet në Ankara mbetën më shumë të befasuara nga një detaj i ndeshjes së raundit të dytë.
Konkretisht, para nisjes së takimit, në ekranin e stadiumit në Santa Clara u shfaqën emrat e turqve që kishin marrë përshëndetje publike, ashtu siç është bërë zakon në Kupën e Botës të këtij viti.
Mes tyre, emri i Hakan Sukur, ish-kapitenit të kombëtares dhe një prej figurave më të njohura të futbollit turk, të cilin qeveria aktuale në Ankara e cilëson si armik të shtetit dhe terrorist, u shfaq dy herë.
Është e qartë se tifozë të Turqisë, që nuk pajtohen me qeverinë aktuale turke dhe e mbështesin Sukurin, kanë paguar që emri i tij të shfaqej në tabelën e rezultateve.
Autoritetet turke e akuzojnë Sukurin për përfshirje në tentativën për grusht shteti të vitit 2016 dhe e lidhin me organizatën FETO, të cilën Ankaraja e konsideron terroriste.
Për këtë arsye, Sukur, rekordmeni i kombëtares turke për numrin e paraqitjeve (112) dhe golave (58), ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 2016, ku punon si shofer taksie.


