Trajneri i Japonisë bëhet viral në Botëror, metoda e tij e pazakontë frymëzoi rikthimin ndaj Holandës

Lajme

Japonia arriti të marrë një barazim spektakolar 2-2 ndaj Holandës në ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës FIFA 2026, duke treguar karakter të jashtëzakonshëm pas një disavantazhi prej dy golash.

Pasi ishin në prag të humbjes, japonezët reaguan fuqishëm në pjesën e dytë dhe arritën të rikthehen në lojë, duke siguruar një pikë të rëndësishme ndaj një prej skuadrave favorite të grupit.


Megjithatë, vëmendjen më të madhe pas ndeshjes e mori trajneri Hajime Moriyasu dhe metoda e tij e pazakontë për të motivuar futbollistët në minutat vendimtare të takimit.

Tekniku japonez u pa pranë vijës anësore me një tabelë të bardhë në duar, ku fillimisht kishte shkruar numrat “4-5”, një mesazh që synonte t’u tregonte lojtarëve se kishin ende minuta në dispozicion për të kërkuar golin e radhës.

Pak çaste më vonë, ai i kërkoi asistentit të tij të ndryshonte numrat në “3”, më pas në “2” dhe në fund në “1”, duke numëruar minutat e mbetura dhe duke i nxitur futbollistët të mos dorëzoheshin deri në vërshëllimën e fundit.

Pamjet u bënë shpejt virale në rrjetet sociale, ndërsa Moriyasu u pa edhe duke shkëmbyer një moment gazmor me gjyqtarin e katërt, i cili nuk mund ta fshihte buzëqeshjen ndaj mënyrës kreative të trajnerit japonez.

Edhe pse Japonia nuk arriti të shënonte golin e fitores, barazimi në 2-2 dhe këmbëngulja e treguar deri në sekondat e fundit u konsideruan si një fitore morale për gjigantët aziatikë. /Telegrafi/

Promo