Toni Kroos ka hedhur poshtë mundësinë për t’u rikthyer tek ish-klubi i tij Bayern Munich, teksa po i afrohet muajve të fundit të kontratës së tij me Real Madridin.
34-vjeçari kaloi shtatë vite me fanellën e gjigantit gjerman mes viteve 2007 dhe 2014, duke fituar tre tituj të Bundesligës, tre tituj të Kupës së Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve në edicionin 2012/13.
Kroos shijoi suksese të mëtejme edhe me fanellën e Real Madridit, duke u bërë kështu njëri ndër futbollistët më të dekoruar të të gjitha kohërave, por tani aventura e tij në kryeqytetin spanjoll mund të shkojë drejt fundit pasi kontrata e tij është afër skadimit.
Gjermani është ende një startues i rregullt në ekipin e Carlo Ancelottit, ndërsa është paraqitur në 31 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon.
Drejtuesit e klubit madrilen po synojnë të ndërtojnë gjeneratën e së ardhmes me lojtarë si Jude Bellingham, Vinicius Junior, Rodrygo, Endrick, Aurelien Tchouameni dhe Eduardo Camavinga.
“Kam pritur shumë pyetje rreth të ardhmes sime sot, por jo këtë. Unë jam i nderuar kur dikush më do në ekipin e tyre, pa marrë parasysh nëse ajo është e vërtetë apo jo. Por në këtë çështje mund të them qartë se nuk do të ndodhë”, ka thënë Kroos kur u pyet për mundësinë e rikthimit tek Bayerni.
“Unë dua t’i jap fund karrierës sime në nivelin më të lartë të mundshëm. Unë jam duke e shijuar momentin. E meritoj të kem më shumë kohë për të marrë vendimin, unë dua që ai të jetë korrekt, e njëjta vlen edhe për kombëtaren. Unë jam duke menduar për këtë, por njësoj si për rinovimin tim, nuk e di”, është shprehur gjermani./Telegrafi/
sport,Bayern Munich,Bundesliga,la liga,Toni Kroos , Bayern Munich,Bundesliga,la liga,Toni Kroos