Bekim Balaj po përjeton një ‘rini të dytë’ në rikthimin e tij në futbollin shqiptar.
Ish-bomberi i Kombëtares shqiptare po merr për dorë Vllazninë dhe po shënon rregullisht duke qenë kryegolashënuesi i Superiores me 15 gola në 25 ndeshje që ka luajtur.
Kapiteni i gjithë Shkodrës ka një mesatare prej 0.6 golash për ndeshje, ose 1 gol në 2 ndeshje. “Këpuca e Artë” e këtij sezoni s’mund të quhet më një garë pasi Balaj s’ka më rivalë. Në këtë mënyrë, 33-vjeçari ‘rivalizon’ me rekordet e së shkuarës.
Nëse ecën me një mesatare të tillë edhe në 10 ndeshjet e mbetura, ai e mbyll sezonin me 21 gola. Në këtë mënyrë ai do të kalonte me 1 gol më shumë rekordin e dytë më të mirë të një tjetër bomberi shkodran.
Vioresin Sinani në sezonin 2007-’08 do të shënonte 20 gola me fanellën e Vllaznisë, por objektivi i Balajt është Vioresin Sinani i Tiranës.
Në sezonin 2006-’07, Sinani fitoi Këpucën e Artë me 23 gola me fanellën bardheblu dhe do të shpallte kampion kryeqytetasit.
Rekordin absolut të futbollit modern shqiptar, Vioresin Sinani e mban me plot 36 gola me Vllazninë e 2004-ës, i cili deri më sot mbetet një rekord që as nuk çohet ndër mend për t’u thyer.
Për të kapur kuotën e 23 golave, Balaj duhet të rrisë edhe pak marshin e shënimit. Me 22 gola, Balaj mund të kapë edhe rekordin e ish-lojtarit tjetër të Vllaznisë, Edmir Bilalin, si dhe ish-trajnerin e tij këtë sezon, Migen Memellin. /newsport.al/
sport,Bekim Balaj,Superiore , Bekim Balaj,Superiore