Ronaldo pretendon se i ka dëshmuar Manchester Unitedit që kanë bërë gabim me largimin e tij

Lajme

Cristiano Ronaldo ka insistuar se i ka dëshmuar Manchester United se kanë bërë gabim me largimin e tij, falë performancave në Ligën Saudite.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë, i cili u transferua në Ligën Sauditë më shumë se një vit më parë, shënoi 52 gola në të gjitha garat në vitin 2023, teksa këtë sezon ka realizuar 24 gola në 25 ndeshje për Al-Nassr.

Kalimi i Ronaldos në Lindjen e Mesme erdhi pas një largimi të dhimbshëm nga United, që pa portugezin duke sulmuar publikisht bordin e klubit, trajnerin Erik Ten Hag dhe familjen Glazer.

Tani sulmuesi ka pretenduar se golat e tij në Arabinë Saudite mund të shërbejnë si justifikim për vendimin e tij për t’u larguar nga Unitedi në fund të vitit 2022.

“Nëse riktheheni mbrapa dhe e shihni se çfarë ka ndodhur tek Manchester United dhe në kombëtare, njerëzit faktikisht më konsideruan të mbaruar”, ka thënë Ronaldo për mediumin portugez Record.

“Por, e vërteta është se unë jam fokusuar dhe kam pasur një periudhë të mirë tek Al-Nassr, për këtë arsye kam shënuar 54 gola”.

Në të njëjtën intervistë, Ronaldo ka dhënë një përgjigje interesante edhe kur u pyet për planet e tij për pensionim nga futbolli.

“Këtë ua them edhe shokëve të mi shumë shpesh, jeta është dinamike. E nesërmja është e pasigurtë. Unë mund t’i jap fund karrierës në fund të sezonit, ose të luajë edhe dy apo tri vite tjera. Nuk e di, të jem i sinqertë”, është shprehur ish-lojtari i Real Madridit./Telegrafi/



sport,Cristiano Ronaldo,Manchester United , Cristiano Ronaldo,Manchester United

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *