REL: Serbia kërcënon me tërheqje nga Euro, shkak sloganet kundër Kosovës

Lajme

Një grup i tifozëve serbë brohoritën “Kosova është zemra e Serbisë” në qendër të Munihut, ku ishin mbledhur para ndeshjes së ekipit të tyre kombëtar kundër Sllovenisë të enjten. Serbia, ndërkohë, kërcënoi se mund të tërhiqet nga Euro 2024 për shkak të thirrjeve kundër serbëve. Tifozët i vazhduan të enjten gjestet politike në lidhje me Ballkanin në Kampionatin Evropian të futbollit në Gjermani.

Të enjten sheshi Marienplatz ishte i mbushur me tifozë nga Serbia dhe Sllovenia, të dyja ish-shtete jugosllave. Marrëdhëniet e tensionuara politike mes Serbisë dhe Kosovës u pasqyruan nga banerë, brohoritje dhe gjeste të urrejtjes gjatë turneut në Gjermani, duke nxitur palët të bëjnë ankesa në organin qeverisës së futbollit evropian, UEFA.

Serbia ka kërcënuar me tërheqje nga Euro 2024 për shkak të brohoritjeve kundër serbëve gjatë ndeshjes mes Kroacisë dhe Shqipërisë të mërkurën. Gjatë asaj ndeshjes të Grupit B, që mbaroi 2:2, u dëgjuan thirrje për vrasjen e serbëve. Jovan Surbatoviç, sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, tha se ka bërë ankesë zyrtare në UEFA, duke thënë se tifozët e Kroacisë dhe Shqipërisë brohoritën “vrisni, vrisni, vrisni serbët” gjatë ndeshjes mes tyre në Hamburg.

Të mërkurën, UEFA e dënoi Federatën e Futbollit të Serbisë me një gjobë prej 10.000 eurosh, për shkak të “transmetimit të mesazheve provokuese, të papërshtatshme për një ngjarje sportive” gjatë ndeshjes të dielën.

Fotografitë nga turma e tifozëve serbë gjatë ndeshjes shfaqën një baner të flamurit kombëtar serb, i cili përfshinte Kosovën brenda kufijve të saj. Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008. Beogradi refuzon ta pranojë atë.

Federata e Futbollit e Kosovës bëri ankesë në UEFA kundër banerëve të tifozëve serbë, për të cilët tha se përmbanin “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste”. Po ashtu të mërkurën, UEFA ia hoqi akreditimin një gazetari kosovar për ndeshjet e Euro 2024, pas ankesave se ai bëri gjeste nacionaliste drejtuar tifozëve serbë, gjatë ndeshjes së Serbisë kundër Anglisë në Gelsenkirchen të dielën./ REL



sport,kosove,Serbi , kosove,Serbi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *