Real Madridi vazhdon të mbetet një nga emrat më aktivë në afatin kalimtar të verës, teksa presidenti Florentino Perez kërkon të ndërtojë një skuadër galaktike për sezonin e ardhshëm.
Pas afrimeve të rëndësishme të Ibrahima Konates, Denzel Dumfries, Marc Cucurellas dhe Bernardo Silvës, drejtuesit e klubit nga Madridi nuk planifikojnë të ndalen. Synimi i radhës është përforcimi i mesfushës me një futbollist që mund t’i sjellë më shumë krijimtari dhe ekuilibër ekipit të drejtuar nga Jose Mourinho.
Sipas raportimeve, stafi teknik ka veçuar tre emra si kandidatët kryesorë për këtë rol: Enzo Fernandez, Mateus Fernandes dhe Kees Smit. Këta janë tre profile të ndryshme, si për sa i përket moshës, ashtu edhe kostos së mundshme të transferimit, por që vlerësohen si të denjë për të veshur fanellën e klubit më të suksesshëm në Evropë.
Emri që bie më shumë në sy është pa dyshim Enzo Fernandez. Mesfushori argjentinas 25-vjeçar e ka forcuar pozitën e tij si një nga organizatorët më të mirë të lojës në futbollin evropian, falë paraqitjeve shumë të mira me Chelsean në Ligën Premier.
Megjithatë, transferimi i tij duket tejet i ndërlikuar. Chelsea nuk ka dëshirë të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit dhe nuk e parashikon shitjen e zëvendëskapitenit të saj.
Për këtë arsye, klubi londinez pritet të kërkojë afërsisht 140 milionë euro për kartonin e Fernandezit.
Një shumë e tillë do ta shtynte Perezin ta shqyrtonte me shumë kujdes mundësinë e finalizimit të këtij operacioni, sidomos duke pasur parasysh rregullat e ‘Fair Play Financiar’ dhe investimet e mëdha që Real Madridi ka kryer tashmë gjatë kësaj vere.
Pavarësisht këtyre pengesave, drejtuesit madrilenë vijojnë ta ndjekin nga afër situatën e Enzo Fernandezit, ndërsa Mateus Fernandes dhe Kees Smit mbeten opsione serioze nëse bisedimet për argjentinasin rezultojnë të parealizueshme.


