Real Madridi përgatit ofertë rekord për Olisen, synon të tejkalojë çdo shifër

Lajme

Sipas raportimit të MARCA, Real Madridi e ka vendosur Michael Olisen në krye të listës së objektivave për afatin kalimtar të verës.

Klubi madrilen po vlerëson mundësinë e një oferte historike, pasi është i gatshëm të shpenzojë mbi 200 milionë euro për të transferuar anësorin francez të Bayern Munichut.


Gjatë fushatës së tij për presidencën, Florentino Perez kishte paralajmëruar një goditje të madhe në treg me vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa zërat e mëhershëm për Julian Alvarez tani po shihen si një lëvizje për të shmangur vëmendjen nga synimi i vërtetë.

Në ambientet e klubit spanjoll, Olise konsiderohet si profili i duhur për krahun e djathtë të sulmit, falë cilësive dhe potencialit që ka për ta ngritur edhe më shumë nivelin e repartit ofensiv të “Los Blancos”.

Një arsye tjetër pse francezi pëlqehet kaq shumë nga Real Madridi lidhet me bashkëpunimin shumë të mirë që ai ka ndërtuar me Kylian Mbappen te përfaqësuesja e Francës.

Kjo dyshe e konfirmoi sërish harmoninë në fitoren e fundit të Francës ndaj Senegalit në Kupën e Botës, ku Olise asistoi për yllin e madrilenëve.

Gjithsesi, arritja e këtij transferimi nuk pritet të jetë aspak e thjeshtë.

Bayern Munich nuk synon të heqë dorë nga një prej futbollistëve të tij më të rëndësishëm, teksa presidenti Herbert Hainer ka deklaruar publikisht se klubi bavarez nuk e ka në plan shitjen e Olises.//

Promo