Real Madridi del me sqarim zyrtar për Michael Olise

Lajme

Mes raportimeve gjithnjë e më të shumta se Real Madridi e ka vendosur yllin e Bayern Munichut, Michael Olise, si objektivin kryesor për afatin kalimtar të verës, klubi spanjoll ka publikuar një deklaratë zyrtare për të mohuar kontaktet me lojtarin.

Kjo erdhi pas lajmeve që pretendonin se CEO i Los Blancos, Jose Angel Sanchez, kishte kontaktuar personalisht me kampin e sulmuesit francez për të diskutuar mundësinë e një transferimi në verë.


Megjithatë, në reagimin e tij zyrtar, Real Madridi ka hedhur poshtë çdo pretendim se ka pasur kontakt të çfarëdollojshëm, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me Olise, përfaqësuesit e tij ose njerëzit pranë tij.

“Në përgjigje të raportimeve në media të ndryshme lidhur me një interes të supozuar të klubit tonë për lojtarin e Bayern Munich, Michael Olise, Real Madridi dëshiron të sqarojë se nuk ka pasur asnjë kontakt direkt apo indirekt me lojtarin e përmendur, përfaqësuesit e tij apo me askënd nga rrethi i tij”, thuhet në deklaratë.

https://twitter.com/realmadrid/status/2068364753429299466

Më tej, Real Madridi vë në pah marrëdhënien e ngushtë institucionale me Bayern Munichun, e cila sipas klubit mbështetet mbi respektin dhe besimin e ndërsjellë, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë veprim që mund ta dëmtojë këtë raport.

“Real Madridi dëshiron gjithashtu të theksojë marrëdhënien e shkëlqyer institucionale që mban me Bayern Munichun, me të cilin ndan një histori të gjatë respekti të ndërsjellë, bashkëpunimi dhe admirimi, dhe shpreh keqardhje për përhapjen e spekulimeve që nuk korrespondojnë me realitetin”.

Gjithsesi, në mënyrë interesante, Real Madridi nuk e ka përgënjeshtruar interesin për transferimin e Olise, por ka lënë të kuptohet se çdo çështje e tillë duhet të trajtohet përmes bisedimeve mes dy klubeve.

“Të dy klubet kanë ruajtur gjithmonë një marrëdhënie të bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, e cila reflektohet edhe në bindjen e përbashkët se çdo interes i mundshëm për një lojtar të një klubi tjetër duhet të trajtohet fillimisht mes vetë institucioneve, në përputhje me parimet e lojalitetit institucional që kanë udhëhequr historikisht marrëdhëniet mes Bayern Munich dhe Real Madrid”.

Michael Olise është shndërruar në një nga emrat më të kërkuar në Evropë, pas një sezoni të shkëlqyer me Bayern Munichun, ku ka pasur një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt titullit kampion.//

Promo