Lionel Scaloni është shprehur i mrekulluar nga performanca e Lionel Messit në triumfin 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë, duke theksuar se kapiteni argjentinas do të mbetet futbollisti më i mirë në botë për aq kohë sa të ketë dëshirë të vazhdojë të luajë.
Në sfidën hapëse të Grupit J në Kupën e Botës 2026, Messi hyri në histori duke shënuar het-trikun e tij të parë ndonjëherë në këtë kompeticion. Falë tre golave kundër Algjerisë, ai barazoi Miroslav Klosen në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës, me nga 16 gola secili.
Në moshën 38 vjeç e 357 ditë, Messi u bë lojtari më i moshuar që arrin një het-trik në Kupën e Botës, duke rrëzuar rekordin që Cristiano Ronaldo kishte vendosur në vitin 2018 përballë Spanjës. Po ashtu, ai u kthye në futbollistin më të vjetër që realizon më shumë se një gol në një ndeshje të këtij turneu, duke lënë pas rekordin e Roger Milla.
Pas përfundimit të ndeshjes, Scaloni nuk i fshehu vlerësimet për liderin e skuadrës.
“Nuk kam fjalë për Leon. Këtë po e bën prej 20 vitesh. Ajo që bën dhe ajo që përcjell është e jashtëzakonshme”.
“Përtej tre golave, Messi e mori ekipin mbi supe dhe, për sa kohë ai të dojë, do të jetë më i miri. Është emocionuese ta shohësh në këtë nivel, pothuajse në prag të 39 viteve. Është e vështirë të përshkruhet”.
Scaloni vlerëson se periudha e fundit ka qenë faza më e bukur e Messit me kombëtaren argjentinase.
“Ai gjithmonë ka luajtur në nivel shumë të lartë, por vitet e fundit me Argjentinën kanë qenë fantastike. Ai gjeti një grup shokësh që luajnë me të, jo që e shohin si një hyjni. Ai përcjell diçka që është e vështirë të shpjegohet, ka një aurë të veçantë”.
Edhe vetë Messi e uli peshën e rekordit historik, duke theksuar se nuk janë statistikat ato që e shtyjnë përpara.
“Të jem i sinqertë, nuk më intereson. Është një nder të jem aty për shkak të asaj që përfaqëson Klose. Aty është edhe Ronaldo, aty është edhe Mbappe. Është vetëm një statistikë dhe asgjë më shumë”.
“Jemi krenarë që mund të krahasohemi me ta, por kjo për mua nuk do të thotë asgjë. Ronaldo ishte një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe nuk është i pari në atë listë, ndaj është thjesht një statistikë”./


