Pas 28 vitesh mungesë, Norvegjia do të rikthehet në Kupën e Botës dhe për shumë tifozë e analistë ajo shihet si një nga “kuajt e errët” të Botërorit 2026. Vëmendja natyrisht përqendrohet te Erling Haaland, por përfaqësuesja skandinave ka ndërtuar më shumë sesa thjesht një skuadër që varet nga ylli i Manchester Cityt.
Nën drejtimin e Stale Solbakken, norvegjezët paraqiten me një grup të ekuilibruar dhe cilësor, që mund t’i çojë shumë më larg nga sa parashikohet fillimisht. Nëse lojtarët kryesorë ruajnë formën e tyre më të mirë, kjo skuadër ka potencialin t’i hapë probleme serioze kujtdo në Amerikën e Veriut.
Në qendër të projektit mbetet Haaland. Sulmuesi 25-vjeçar zhvilloi një fushatë kualifikuese të jashtëzakonshme, duke gjetur rrugën e rrjetës në të tetë ndeshjet dhe duke realizuar gjithsej 16 gola.
Paraqitjet e tij më të spikatura erdhën me pesë golat kundër Moldavisë dhe tre të tjerë përballë Izraelit, duke përforcuar edhe një herë statusin e tij si një nga sulmuesit më të mirë në botë.
Megjithatë, forca e Norvegjisë nuk kufizohet vetëm te finalizimi i Haalandit. Rreth tij janë vendosur futbollistë me nivel të lartë, të aftë të vendosin ndeshje në çdo çast.
Nusa dhe Schjelderup, talentet që sjellin magji në krahë
Antonio Nusa është një nga armët më të rëndësishme të kësaj përfaqësueseje. Lojtari i RB Leipzig pritet të nisë si titullar në krahun e majtë, aty ku bën diferencën me shpejtësinë, driblimin dhe aftësinë për të krijuar rrezik në duelet një kundër një.
21-vjeçari pati një ecuri fantastike në kualifikime, me kontribut në gjashtë gola në gjashtë paraqitje. Ai shënoi dhe asistoi në fitoren 3-0 ndaj Italisë, ndërsa u dallua sërish edhe në suksesin 4-1 në ndeshjen e kthimit.
Si alternativë për të është Andreas Schjelderup, një tjetër emër shumë premtues i futbollit norvegjez. Futbollisti i Benficës kaloi një gjysmëseson shumë mbresëlënës nën drejtimin e Jose Mourinhos, duke regjistruar 10 gola dhe 14 asistime në kampionat.
Schjelderup la gjurmë edhe në Ligën e Kampionëve, ku realizoi dy gola ndaj Real Madridit.
Në krahun e djathtë, Alexander Sorloth sjell një profil ndryshe. Edhe pse 1.88 metra i gjatë, sulmuesi i Atletico Madridit lëviz shpesh drejt zonave anësore dhe në fazën sulmuese afrohet pranë Haalandit. Edhe ai ishte vendimtar gjatë kualifikueseve, me tetë kontribute direkte në gola në tetë ndeshje.
Solbakken ka në dispozicion edhe Oscar Bobb dhe Jens Petter Hauge, dy lojtarë që i japin ekipit alternativa cilësore dhe thellësi të konsiderueshme në repartin ofensiv.
Mesfushë me eksperiencë të nivelit më të lartë – por Odegaard, truri i ekipit
Një tjetër aset i rëndësishëm i Norvegjisë është mesfusha. Martin Odegaard, kapiteni i skuadrës, vazhdon të jetë organizatori kryesor i lojës, i mbështetur nga Sander Berge dhe Fredrik Aursnes.
Berge i jep mesfushës forcë fizike dhe stabilitet, ndërsa Aursnes sjell përvojë të madhe nga nivelet më të larta të futbollit evropian. Aursnes ishte larguar nga kombëtarja në vitin 2024 për arsye personale, por në fillim të këtij viti vendosi të rikthehej dhe tashmë konsiderohet një nga titullarët e padiskutueshëm.
Përveç tyre, trajneri mund të mbështetet edhe te Patrick Berg, Kristian Thorstvedt dhe Morten Thorsby, çka e bën këtë repart të pasur me alternativa dhe fleksibilitet.
Nëse Haaland është njeriu i golit, atëherë Odegaard është lojtari që vë në funksionim gjithë mekanizmin e Norvegjisë.
Pavarësisht problemeve me lëndimet gjatë sezonit, kapiteni i Arsenalit regjistroi shtatë asistime në kualifikime, më shumë se çdo futbollist tjetër në Evropë. Vetëm ndaj Izraelit ai dha tri asistime, një tjetër dëshmi e vizionit dhe cilësisë së tij të lartë.
Në Botëror, roli i Odegaard do të jetë vendimtar jo vetëm për të furnizuar Haalandin, por edhe për të lidhur repartet dhe për të shfrytëzuar sa më mirë lëvizjet e Nusas, Sorlothit dhe pjesës tjetër të sulmit.
Me Haalandin në majë të sulmit, Odegaardin në drejtimin e lojës dhe një grup talentesh premtuese në përbërje, Norvegjia ka arsye reale të ëndërrojë. Skandinavët nuk shkojnë në Botërorin 2026 vetëm për të qenë pjesëmarrës, por me bindjen se mund të kthehen në një nga surprizat më të mëdha të turneut.


