Aymen Hussein po kalon periudhën më të rëndësishme të karrierës së tij si futbollist. Sulmuesi 30-vjeçar e udhëhoqi Irakun drejt një suksesi historik, duke i siguruar kombëtares kualifikimin në Kupën e Botës për herë të parë pas katër dekadash.
Në Botërorin 2026, ai la sërish gjurmë në historinë e futbollit irakian, duke u bërë vetëm lojtari i dytë nga Iraku që shënon në një Kupë Bote. Goli i tij kundër Norvegjisë në minutën e 39-të vendosi përkohësisht baraspeshën, përpara se Erling Haaland të realizonte dy gola për skandinavët.
Megjithatë, përpara se të shfaqej në skenën më të madhe të futbollit botëror, Hussein hasi në një situatë të pakëndshme në Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve, ai u ndal për shtatë orë në aeroportin ndërkombëtar O’Hare në Çikago, ku iu nënshtrua një kontrolli të hollësishëm nga autoritetet amerikane kufitare.
Gjatë kësaj procedure, zyrtarët verifikuan edhe fotografitë në telefonin e tij, përpara se ta lejonin të hynte në vend. Autoritetet amerikane sqaruan se bëhej fjalë për një “vlerësim individual në përputhje me ligjet e emigracionit dhe sigurisë, si dhe me çështjet e identifikuara gjatë inspektimit”.
Ngjarja nxiti reagime të shumta në media dhe në rrjetet sociale. Gazetari i njohur i The Guardian, Romain Molina, e kritikoi mënyrën se si ishte trajtuar futbollisti irakian, duke e krahasuar procesin me marrjen në pyetje të një personi të dyshuar për terrorizëm.
“Ai iu nënshtrua një interviste shtatëorëshe sapo mbërriti në SHBA dhe u trajtua si një ‘terrorist i mundshëm’. Aymen Hussein është irakian dhe dukej sikur kjo mjaftonte për t’i mohuar të drejtat e tij”, shkroi Molina.
Historia bëhet edhe më e dhimbshme kur merret në konsideratë e kaluara e futbollistit.
Babai i tij, një ish-oficer ushtarak, u vra në vitin 2008 gjatë një sulmi terrorist të Al-Qaedas, ndërsa vëllai i tij u rrëmbye nga anëtarë të ISIS-it. Trupi i këtij të fundit nuk është gjetur kurrë.
Për këtë arsye, trajtimi që Hussein mori në hyrje të SHBA-së u pa nga shumë njerëz si veçanërisht i padrejtë, duke pasur parasysh se familja e tij ka qenë vetë viktimë e terrorizmit.


