Portieri legjendar gjerman Manuel Neuer mund të përfshihet në një situatë të pazakontë disiplinore pas një veprimi të bërë gjatë ndeshjes së fundit të luajtur në Hjuston.
Sipas raportimeve, 40-vjeçari, i cili njihet për parapëlqimin e fanellave me mëngë të shkurtra, nuk ka qenë i kënaqur me pajisjen që iu vu në dispozicion para takimit. Atij iu dha një fanellë portieri me mëngë të gjata, çka e shtyu të ndërhyjë vetë te uniforma.
Neuer vendosi t’ia shkurtonte vetë mëngët fanellës për të vazhduar të luante sipas stilit që preferon. Megjithatë, ky veprim mund të paraqesë problem në raport me rregullat e FIFA-s për pajisjet zyrtare.
Sipas rregullores së FIFA-s për pajisjet, çdo ndryshim i uniformës zyrtare që prek dizajnin e miratuar mund të konsiderohet shkelje, sidomos nëse nxjerr në pah elemente të veshjeve të brendshme që nuk janë pjesë e uniformës së aprovuar.
Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim nëse FIFA do të hapë një procedurë disiplinore ndaj portierit gjerman, ndërsa mbetet e paqartë nëse ky rast do të sjellë pasoja zyrtare.


