Nëna e portierit të Cape Verde, Vozinha, do të ketë mundësi të pajiset me vizë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe për ta parë nga afër djalin e saj në Kupën e Botës, pasi shpenzimet e larta ia kishin bërë të pamundur të ishte e pranishme në ndeshjen historike të barazimit ndaj Spanjës më herët këtë javë, bëri të ditur të mërkurën kreu demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Hakeem Jeffries.
Cape Verde ishte në listën e vendeve të përcaktuar nga qeveria amerikane, qytetarët e të cilëve, përveç tarifës së vizës, duhej të paguanin edhe një garanci të kthyeshme prej 15,000 dollarësh për të udhëtuar në SHBA.
Muajin e kaluar, administrata Trump e anuloi këtë kërkesë për mbajtësit e biletave të Kupës së Botës, por deri në atë moment kostot e larta kishin bërë që Ana Candida Evora, nëna e portierit 40-vjeçar, të mos arrinte të udhëtonte.
Jeffries deklaroi se tarifat e vizës janë hequr dhe se Evora do të mund të jetë në stadium për ndeshjen e ardhshme të Cape Verde kundër Uruguait, të dielën në Miami.
Ai shprehu mirënjohje ndaj Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, si edhe Departamentit Amerikan të Shtetit për bashkëpunimin.
Vozinha, 40 vjeç, konsiderohet një nga futbollistët më të dashur në Cape Verde dhe prej 13 vitesh ka qenë portieri titullar i kombëtares.
Ai është shndërruar në një nga befasitë e këtij Botërori, duke ndihmuar përfaqësuesen e tij të sigurojë pikën e parë historike dhe duke fituar miliona ndjekës të rinj në rrjetet sociale.//


