Shqipëria më datë 8 shkurt në Paris në orën 18:00, do të njohë rivalët për sezonin e ri të UEFA Nations League 2024-2025. Kombëtarja shqiptare ndodhet në Ligën B në vazon e tretë dhe në të njëjtën vazo me kuqezinjtë janë, Sllovenia, Irlanda dhe Mali i Zi.
Kundërshtarët e tjerë të Ligës B, që priten të jenë edhe rivalët e mundshëm të Shqipërisë në Ligën e Kombeve janë të ndarë në tre vazo të tjera me nga katër skuadra secila, ku në vazon e parë gjenden: Austria, Çekia, Anglia dhe Uellsi. Në vazon e dytë janë: Finlanda, Ukraina, Islanda dhe Norvegjia ndërsa në vazon e katërt gjenden ekipe si: Gjeorgjia, Greqia, Turqia dhe Kazakistani.
Ndeshjet do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje. Gjithçka do të nisë në shtator të këtij viti, ku Shqipëria do të zhvillojë dy sfidat e para, më pas në tetor do të luhen dy ndeshjet e tjera dhe në muajin nëntor do të mbyllet gjithçka me dy sfidat e fundit të grupit.
Kalendari:
Ndeshja 1 – 5-7 Shtator 2024
Ndeshja 2 – 8-10 Shtator 2024
Ndeshja 3 – 10-12 Tetor 2024
Ndeshja 4 – 13-15 Tetor 2024
Ndeshja 5 – 14-16 Nëntor 2024
Ndeshja 6 – 17-19 Nëntor 2024
Kompeticioni i Nations League ka ngritur siparin në sezonin 2018-2019. Shqipëria në dy sezonet e para ka garuar në Ligën C dhe pas suksesit të arritur në sezonin 2020-2021 duke u renditur në vendin e parë në Grupin 4 të Ligës C, ka avancuar në Ligën B. Edhe këtë sezon kuqezinjtë ndodhen në Ligën B, teksa synimi është kalimi në Ligën A.
sport,kombetarja shqiptare,Nations League , kombetarja shqiptare,Nations League