Ylli francez i futbollit, Kylian Mbappe, ka vendosur të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij dhe t’i bashkohet Real Madridit, ndërsa kontrata e tij me Paris Saint-Germain është në afër skadimit. Kjo lëvizje pritet të ndodhë më pak se gjashtë muaj para përfundimit të kontratës së tij aktuale me kampionët francezë.
Gazeta gjermane Bild raporton se klubi mbretëror është në përpjekje për të mbyllur marrëveshjen sa më parë, me qëllim që të evitojë një telenovelë transferimi si ai që ndodhi në verën e vitit 2022. Megjithatë, lojtari nuk ka treguar ndonjë shenjë se do të nxitohet në marrjen e një vendimi.
Raportimi i Foot Mercato në fillim të muajit që Mbappe kishte rënë dakord për një kalim në Real Madrid është mbështetur edhe nga Sportbild i Gjermanisë.
Gazeta bën të ditur më tej se sulmuesi ka vendosur të lërë PSG-në për të nënshkruar me Realin, tërhequr nga perspektiva e të luajturit për një nga klubet më të mëdha në botë.
Sipas Bild, Mbappe dhe nëna e tij, Fayza Lamari, kanë marrë të dy një vendim përfundimtar për të bërë lëvizjen drejt kryeqytetit spanjoll. Në një veprim të papritur, raportohet se ai është gati të pranojë një ulje të pagës për të realizuar këtë transferim, duke u dakorduar me një pagë prej 70 milionë eurosh në vit, pavarësisht të ardhurave të tij shumë më të larta në PSG, të cilat arritën deri në 100 milionë euro.
Dëshira e Mbappe për të mos vazhduar bashkëpunimin me PSG-në ka qenë qartë prej kohësh, dhe ai ka bërë të ditur këtë jo vetëm nëpërmjet menaxherëve por edhe në deklaratat publike. Tani duket se koha ka ardhur që ai të bëjë hapat e fundit drejt veshjes së fanelës së Real Madridit dhe të realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në klubin që ka dominuar futbollin evropian për dekada. /Telegrafi/
sport,Kylian Mbappe,la liga,Ligue 1,real madrid , Kylian Mbappe,la liga,Ligue 1,real madrid