Milani i vendos vlerën Leaos dhe lë të hapur largimin

Milani i vendos vlerën Leaos dhe lë të hapur largimin

Lajme

Rafael Leao mund të largohet nga Milani në këtë afat kalimtar, pasi klubi italian i ka caktuar sulmuesit portugez një vlerë prej 60–70 milionë eurosh.

Raportimet bëjnë të ditur se drejtuesit e kuqezinjve kanë zhvilluar takim me përfaqësuesit e futbollistit, ku është paraqitur qartë projekti për të ardhmen e tij dhe është lënë e hapur mundësia e shitjes në rast se mbërrin oferta e përshtatshme.

Ndonëse kontrata e Leaos është e vlefshme deri në qershor 2028, diskutimet për një rinovim të ri kanë mbetur të bllokuara prej disa muajsh.

Edhe sezoni i fundit nuk ka qenë i lehtë për lojtarin, i cili në shumë raste është aktivizuar larg rolit të tij natyral dhe ka shfaqur pakënaqësi në disa momente kur është zëvendësuar.

Në ndryshimin e qëndrimit të klubit ka ndikuar edhe fakti që Milani nuk arriti të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Manchester United dhe Tottenham janë përmendur si opsione të mundshme për të ardhmen e tij, me Tottenham që e konsideron si pjesë të procesit të rindërtimit të skuadrës. Deri në këtë moment, megjithatë, nuk ka asnjë marrëveshje konkrete.

Nga ana e tij, Milani nuk synon të mbajë në grup një futbollist të pakënaqur dhe është i gatshëm të dëgjojë oferta për një transferim që do t’i sillte një fitim të madh, duke pasur parasysh se Leao u transferua nga Lille për rreth 49.5 milionë euro.

Promo