Milani ka bërë zyrtare emërimin e Ruben Amorimit si trajnerin e ri të skuadrës, pasi ai ishte shkarkuar nga Manchester United në muajin janar.
Tekniku portugez do ta vazhdojë karrierën në Serie A me klubin kuqezi, që edicionin e kaluar e mbylli kampionatin në vendin e pestë.
“Ka ambicie që të shoqërojnë gjatë gjithë karrierës dhe drejtimi i Milanit ka qenë gjithmonë njëra prej tyre”.
“E di saktësisht se çfarë përfaqëson ky klub: histori, prestigj dhe një tifozëri të jashtëzakonshme në mbarë botën”.
“Është një sfidë që e pranoj me krenari dhe entuziazëm, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për atë që përfaqësojnë këto ngjyra”.
“Mezi pres të filloj dhe të përjetoj çdo ditë pasionin që e karakterizon Milanin”, ka deklaruar Amorim.
Rruga e tij si trajner nisi në Portugali, ku ai udhëhoqi Casa Pia, Braga dhe më pas Sporting Lisbonën, përpara se të transferohej në Angli te Manchester United.
Gjithsesi, aventura e tij 14-mujore në ‘Old Trafford’ mori fund në mesin e sezonit të kaluar, kur Michael Carrick u vendos fillimisht si trajner i përkohshëm dhe më vonë u konfirmua në mënyrë të përhershme.
Në një tjetër zhvillim, Milani do të luajë ndaj Manchester United më 15 gusht në një miqësore parasezonale që do të zhvillohet në Poloni.


