E ardhmja e Mërgim Pefqelit te Dukagjini vazhdon të jetë e paqartë, ndërsa gjithçka sugjeron se mesfushori ofensiv është afër përfundimit të aventurës së tij me skuadrën nga Klina.
Siç raporton Telegrafi, kontrata e 24-vjeçarit përfundon më 30 qershor të këtij viti dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy palëve aktualisht duken të pakta.
Pefqeli iu bashkua Dukagjinit para dy vitesh dhe gjatë kësaj kohe ishte një prej futbollistëve më të rëndësishëm të ekipit, duke dhënë kontribut të madh me paraqitjet e tij.
Sipas informacioneve të Telegrafit, lojtari tashmë ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve.
Deri në këtë fazë, ai ka marrë dy oferta nga ekipe të Superligës së Kosovës dhe një tjetër nga Superliga e Shqipërisë, ndërsa në javët në vijim pritet të vendosë për të ardhmen e tij.
Pas një sezoni të suksesshëm, interesimi për shërbimet e tij nuk ka munguar. Në edicionin e fundit, Pefqeli zhvilloi 36 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar pesë gola dhe duke regjistruar gjashtë asistime.
Një prej momenteve më të rëndësishme të periudhës së tij te Dukagjini ishte triumfi në Kupën e Kosovës, trofe që klubi e fitoi pas një sezoni historik.
Tani mbetet të shihet se ku do ta vazhdojë karrierën Mërgim Pefqeli, me opsionet që për momentin vijnë nga elita e futbollit në Kosovë dhe Shqipëri.


