Edhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e Shqipërisë në Euro 2024. Sfida e parë e kuqezinjve të Sylvinhos do të jetë më 15 qershor në orën 21:00 përballë Italisë, ndeshje e cila do të zhvillohet në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Disa ditë para kësaj sfide mbështetja vjen edhe nga ish lojtarë të Kombëtares. Është Ansi Agolli ai që nëpërmjet një video të shpërndarë nga FSHF-ja inkurajon djemtë kuqezi dhe u bën thirrje tifozëve për këtë sfidë.
Ndër të tjera, Agolli falenderon Federatën Shqiptare të futbollit, që u mundësoi të jenë pjesë e Kampionatin Europian “Gjermani 2024” për të mbështetur Kombëtaren.
“Përshëndetje! Momenti i shumëpritur po afron. Emocionet po ashtu janë shumë të mëdha. Ndeshja e parë kundër Italisë në Dortmund, për skuadrën tonë Kombëtare.
Do të doja të falenderoja Federatën Shqiptare të Futbollit për organizimin që ka bërë, për ish-lojtarët e Kombëtares shqiptare, për të gjithë ata që kanë kontribuar për atë fanellë, që të jemi bashkë dhe të mbështesim sa më shumë skuadrën tonë Kombëtare.
Unë do jem aty padiskutim dhe shpresoj që të gjithë të jenë aty për të mbështetur skuadrën Kombëtare në një ndeshje mjaft të veçantë. Faleminderit dhe shihemi në Dortmund”, thotë Ansi Agolli.
Kujtojmë që ish-kapiteni, Ansi Agolli ka luajtur plot 73 ndeshje me fanellën e Kombëtares shqiptare.
Në këto 73 paraqitje të tijat me Shqipërinë, Agolli ia ka dalë që të shënojë edhe 3 gola.
Gjithashtu, 41-vjeçari ishte edhe një nga protagonistët në Europianin e parë që Shqipëria merrte pjesë, në Euro 2016.
sport,Euro 2024,kombetarja shqiptare , Euro 2024,kombetarja shqiptare