Kylian Mbappe ka shprehur krenarinë e tij të thellë pasi u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Francës, duke lënë pas rekordin e mëparshëm të Olivier Giroud.
Sulmuesi i Real Madridit e shënoi këtë arritje historike pas një paraqitjeje vendimtare në fitoren 3-1 ndaj Senegalit, ku realizoi dy gola në ndeshjen e parë të Francës në Kupën e Botës 2026 në stadiumin “MetLife”. Me këtë dopietë, Mbappe e çoi në 58 numrin e golave me kombëtaren, duke u ngjitur në krye të historisë së “Les Bleus” në moshën 27-vjeçare.
Pas përfundimit të takimit, shokët e skuadrës i dhuruan një fanellë simbolike me numrin 58, si vlerësim për këtë moment historik.
Në një reagim në rrjetet sociale, kapiteni i Francës ndau emocionet e tij për këtë rekord të ri.
“58 gola. Është një krenari e jashtëzakonshme të bëhesh golashënuesi më i mirë në historinë e ekipit tonë kombëtar, një vend ku kanë kaluar kaq shumë lojtarë të mëdhenj. Faleminderit të gjithë shokëve të skuadrës, stafit dhe FFF-së për besimin e pandërprerë që nga dita e parë. Dhe faleminderit juve për mbështetjen tuaj. Vazhdojmë, sepse ka ende shumë për të bërë…”
Pavarësisht këtij rekordi me Francën, Mbappe ka tashmë në horizont një tjetër objektiv të madh. Ai po afrohet me rekordet historike të golave në Kupën e Botës, ku aktualisht në krye qëndrojnë Lionel Messi dhe Miroslav Klose me nga 16 gola secili.
Pas dy golave kundër Senegalit, Mbappe ka shkuar në kuotën e 14 golave në këtë turne, duke iu afruar ndjeshëm majës së historisë së kompeticionit. Duke pasur parasysh moshën dhe formën e tij, shumë analistë besojnë se është vetëm çështje kohe para se ai të thyejë edhe këtë rekord të madh ndërkombëtar.


