Roberto Martinez, përzgjedhësi i Portugalisë, ka komentuar duelin ndaj Kroacisë në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026, ndërsa u ndal edhe te pesha që vazhdon të ketë Cristiano Ronaldo në prag të këtij takimi të rëndësishëm.
Ai theksoi se ndeshja ndaj Kroacisë shënon nisjen e vërtetë të rrugëtimit të Portugalisë në këtë Botëror, duke nënvizuar se puna e bërë në tri ndeshjet e fazës së grupeve ka qenë vendimtare për përgatitjen e ekipit.
“Nesër e nisim Botërorin tonë të vërtetë, prandaj përgatitja e bërë gjatë tri ndeshjeve të fazës së grupeve ishte thelbësore. Ka gjëra që i kemi bërë mirë dhe të tjera që duhet t’i përmirësojmë”.
Trajneri portugez foli me vlerësim për kundërshtarin, duke theksuar se Kroacia dhe Portugalia kanë karakteristika të ngjashme në lojë dhe se kontrolli i topit mund të peshojë shumë në fatin e përballjes.
“Kroacia është e ngjashme me ne, sepse i pëlqen ta ketë posedimin e topit. Të dyja kombëtaret janë më të rrezikshme kur e kanë topin dhe kjo është diçka që duhet ta kemi parasysh”.
Martinez kujtoi se mes dy skuadrave nuk ka të panjohura, pasi ato janë ndeshur edhe në Ligën e Kombeve. Ai vlerësoi gjithashtu punën e trajnerit kroat, duke theksuar stabilitetin e tij në krye të ekipit prej dhjetë vitesh, si edhe cilësinë e emrave si Modric, Gvardiol dhe Kovacic.
“Nuk ka sekrete mes nesh, pasi jemi përballur edhe në Ligën e Kombeve. Dua të vlerësoj punën e madhe të trajnerit të tyre, i cili është në krye të ekipit prej dhjetë vitesh. Modric, Gvardiol dhe Kovacic janë lojtarë të mëdhenj”.
I pyetur nëse Cristiano Ronaldo do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë, Martinez nuk dha një përgjigje të prerë, por e bëri të qartë se kapiteni vazhdon të ketë një rol shumë të rëndësishëm brenda skuadrës.
“Cristiano Ronaldo mbetet shumë i rëndësishëm. Ai është kapiteni. Mosha është vetëm një numër. Ai jep shembull me atë që bën në dhomat e zhveshjes. Është shembull edhe për mua”, deklaroi Martinez.
Portugalia dhe Kroacia do të përballen këtë të enjte, më 2 korrik, në Toronto Stadium, për një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026./



