Drejtori i ardhshëm sportiv i Manchester United, Dan Ashworth, ka identifikuar dy top lojtarë nga Serie A si objektiva të klubit në afatin kalimtar sipas raportimeve të fundit në Itali, por do të duhet të paguajnë një mal me para.
Ashworth, i cili pritet t’i bashkohet Unitedit pas largimit nga Newcastle, do të merr përgjegjësinë për rindërtimin e departamentit të skautëve.
Është thënë se mbrojtësi i vlerësuar i Juventusit, Gleison Bremer, është në krye të listës së dëshirave të Ashworth, pasi ai u mundua të nënshkruaj me mbrojtësin brazilian për Newcastle verën e kaluar.
United në fund mund të shpenzojë rreth 60 milionë euro për nënshkrimin me Bremer, pasi 26-vjeçari është prioriteti kryesor i drejtorit sportiv në ardhje të “Djajve të Kuq”.
Lojtari i dytë që përmendet në raport është mesfushori i Interit, Nicolo Barella, i cili është përshkruar si një ‘kërkesë e veçantë’ e Ashworth.
Dobësia e United në atë pjesë të fushës ka qenë evidente gjatë muajve të fundit pasi Casemiro ka shfaqur shenja të rënies në formë, andaj Barella mund të dhurojë shumë falë eksperiencës së tij.
Sidoqoftë, ofertat për Barellën gjatë verës nuk do të mungojnë as nga klubet tjera. Sipas mediumit spanjoll Fichajes, një numër i madh klubesh në Ligën Premier e kanë monitoruar së fundmi situatën e tij tek Interi, duke përfshirë Newcastle, Liverpool dhe Chelsea. /Telegrafi/
sport,Manchester United,Premier League,serie a , Manchester United,Premier League,serie a