Malisheva ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit Kreshnik Uka, i cili do t’i bashkohet skuadrës për sezonin e ri.
Klubi nga Malisheva e bëri prezantimin e tij përmes rrjeteve sociale, teksa i shprehu mirëseardhje dhe i uroi suksese me fanellën bardhekaltër.
“Njoftojmë transferimin e sulmuesit Kreshnik Uka, i cili do të jetë pjesë e skuadrës sonë”, thuhet fillimisht në njoftimin e Malishevës.
Uka vjen te kjo skuadër pas një sezoni shumë të suksesshëm me Drenicën, ku u shpall golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës në edicionin që sapo përfundoi.
Me 19 gola të shënuar, ai u veçua si një prej futbollistëve më vendimtarë në repartin ofensiv.
“Uka vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Drenicën, ku u shpall golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës për edicionin që lamë pas, duke realizuar 19 gola dhe duke konfirmuar cilësitë e tij si një nga futbollistët më vendimtarë në repartin ofensiv”.
“Klubi ynë i uron Kreshnikut mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën e FC Malishevës”, mbyllet njoftimi i nën-kampionëve të Kosovës.
Kalimi i Ukës te Malisheva konsiderohet një përforcim me peshë për skuadrën, që synon të zhvillojë një sezon sa më të suksesshëm në garat vendore dhe ndërkombëtare.


