Letra emocionuese e Yan Diomande kushtuar motrës së tij që nuk jeton më

Lajme

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, Yan Diomande, ka emocionuar publikun me një letër të ndjerë për motrën e tij të ndjerë, Roxane, të publikuar në platformën The Players’ Tribune.

Në rrëfimin e tij, Diomande sjell në kujtesë fëmijërinë e tyre modeste, por të mbushur me dashuri dhe ngrohtësi familjare.


“Ne nuk e dinim çfarë ishte pasuria apo varfëria. Ne njihnim vetëm lumturinë”, shkruan ai.

Ndër kujtimet që veçon më shumë, ai ndalet te periudha kur ëndërronte të bëhej futbollist profesionist.

“A të kujtohet kur dikush më bleu një fanellë të rreme të Manchester United dhe unë shkrova ‘Ronaldo 7’ në shpinë me marker? Apo kur mora këpucët e mia të para të futbollit dhe flija me to?”, kujton Diomande.

Ai tregon se lidhja me origjinën e tij ka mbetur e fortë falë motrës, e cila e mbështeti pa kushte që në fillimet e karrierës së tij.

“Ishe vetëm 10 vjeçe dhe tashmë ishe agjentja ime”, shkruan ai me emocion.

Mbështetja që nuk iu nda asnjëherë

Rruga drejt futbollit profesionist nuk ishte aspak e thjeshtë. Diomande kaloi në prova te disa klube, mes tyre Bournemouth, Chelsea, Rangers, Olympiacos dhe Crystal Palace, duke hasur shumë sfida dhe pasiguri.

Megjithatë, Roxane vazhdoi të besonte tek ai edhe në momentet kur të tjerët dyshonin.

“Ti ishe personi që nuk pushoi kurrë së besuari tek unë.”

Momenti që ndryshoi jetën e tyre erdhi kur ai firmosi kontratën me CD Leganés.

“Pak javë më vonë nënshkrova për Leganés dhe qamë, por këtë herë nga lumturia”, kujton futbollisti.

Telefonata që ia ndryshoi jetën

Në pjesën më të dhimbshme të letrës, Diomande rrëfen çastin kur mori lajmin tragjik për vdekjen e motrës së tij. Ai kujton një telefonatë që nuk do ta harrojë kurrë, gjatë së cilës iu tha se Roxane kishte humbur jetën pasi dyshohet se dikush i kishte hedhur një substancë në pije gjatë një feste.

Roxane ishte vetëm 15 vjeçe kur u nda nga jeta, një humbje që la një boshllëk të madh në jetën e futbollistit.

“Gjithçka që the po bëhet realitet”

Pavarësisht dhimbjes, Diomande thotë se vazhdon t’ia kushtojë sukseset e tij motrës së ndjerë. Ai kujton me emocion debutimin kundër Real Madridit dhe momentin kur ndërroi fanellën me Kylian Mbappé.

“Ti gjithmonë thoje se mund të bëhesha më i mirë se Cristiano. Edhe kur nuk kisha këpucë të vërteta futbolli, u thoshe të gjithëve: ‘Vëllai im do të bëhet më i miri në botë’”.

Në fund të letrës, futbollisti i drejtohet motrës me një premtim prekës: “Do të të vërtetoj se kishe të drejtë. Do të bëj gjithçka për të realizuar ëndrrën që kishe për mua. Çdo sukses që arrij në futboll do të jetë për ty”.

Promo