Cristiano Ronaldo doli në mbështetje të shokëve të skuadrës pas barazimit 1-1 të Portugalisë kundër Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026, të luajtur në Houston.
Edhe pse kombëtarja portugeze nuk zhvilloi një paraqitje bindëse, sulmuesi me përvojë nënvizoi se nuk ka vend për alarm dhe se ekipi duhet të ecë përpara me vetëbesim në takimet e ardhshme të grupit.
Pas përfundimit të ndeshjes, Ronaldo ndaloi për të folur me mediat teksa po jepte autografe jashtë stadiumit dhe, në prononcimin për Sport TV, komentoi lojën e ekipit në një përballje të vështirë ndaj një rivali fizikisht të fortë dhe të mirëorganizuar. Portugalia kaloi e para në epërsi, por më pas u ndëshkua nga goli i Yoane Wissa, duke e mbyllur sfidën me nga një pikë për të dy ekipet.
Pavarësisht zhgënjimit të dukshëm pas vërshëllimës së fundit, Ronaldo nuk pranoi të fajësojë skuadrën dhe zgjodhi të mbajë një ton optimist.
“Çfarë mungoi? Asgjë nuk mungoi, ky është futbolli. Portugalia mund të kishte fituar, por edhe mund të kishte humbur. Ndeshja mund të kishte marrë të dyja drejtimet”, tha ai, duke qëndruar në mbrojtje të ekipit pas 90 minutave të vështira.
Më pas, ai reagoi edhe në rrjetet sociale, duke përcjellë një mesazh për tifozët dhe kampin portugez. Teksa pranoi se rezultati nuk ishte ai i dëshiruar, ai kërkoi që skuadra të mbetet e përqendruar dhe e bashkuar për ndeshjet që vijnë.
“Nuk ishte nisja që donim, por kjo është larg fundit”, shkroi Ronaldo. Ai shtoi gjithashtu thirrjen: “Mbajeni kokën lart dhe përqendrohuni te ndeshja e ardhshme”.
Në planin personal, kjo ndeshje solli një tjetër rekord për 41-vjeçarin, i cili u bë futbollisti më i vjetër që përfaqëson Portugalinë në një turne të madh, duke lënë pas rekordin e mëparshëm të Pepe-s, që e ndoqi sfidën nga tribunat.


