Kepi i Gjelbër ka dhuruar deri tani befasinë më të madhe të Kupës së Botës 2026, pasi barazoi 0-0 me Spanjën, një prej ekipeve që konsiderohet ndër favoritët kryesorë për ta fituar trofeun.
Ky rezultat i papritur nuk i la të habitur vetëm tifozët e futbollit, por edhe tregun e basteve. Platforma e parashikimeve me kriptovaluta, Polymarket, njoftoi se një përdorues kishte vendosur plot 1 milion dollarë për fitoren e Spanjës në përballjen me Kepin e Gjelbër.
Me një kuotë prej 1.085, bastvënësi synonte të siguronte rreth 85 mijë dollarë fitim, duke e parë këtë duel si një mundësi thuajse të sigurt. Por llogaritë e tij u prishën nga qëndresa e jashtëzakonshme e debutuesve afrikanë.
Njeriu i mbrëmjes ishte portieri veteran Vozinha, i cili shkëlqeu me një paraqitje spektakolare dhe bëri shtatë pritje vendimtare, duke e mbajtur portën të paprekur përballë ofensivës spanjolle.
Spanja pati disa raste të mira për të shënuar dhe goditi edhe shtyllën, por nuk ia doli të gjente golin. Në krahun tjetër, Kepi i Gjelbër festoi pikën e parë historike në një Kampionat Botëror, duke shkruar një prej kapitujve më të bukur të këtij turneu.
Përfaqësuesja afrikane e kishte dhënë një sinjal për potencialin e saj edhe para Botërorit, kur e mposhti bindshëm Serbinë me rezultatin 3-0 në një ndeshje miqësore.
Barazimi me Spanjën tashmë po konsiderohet si një prej surprizave më të mëdha të Kupës së Botës 2026 dhe një çast historik për futbollin e Kepit të Gjelbër.


