Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave tashmë e ka mësuar kundërshtarin në raundin e parë të playoff-it për kualifikimin në Kupën e Botës 2027, që do të mbahet në Brazil.
“Dardanet” do të ndeshen me Austrinë në një përballje shumë të rëndësishme, ku objektivi është vazhdimi i rrugës drejt një paraqitjeje historike në Botëror.
Ndeshja e parë është caktuar të luhet më 7 tetor, ndërsa ajo e kthimit do të zhvillohet më 13 tetor.
Nëse arrijnë të kalojnë Austrinë, futbollistet e Kosovës do të sigurojnë kualifikimin në raundin e dytë të plejofit, ku i pret fituesi i duelit ndërmjet Izraelit dhe Zvicrës.
Ndeshjet e këtij raundi janë parashikuar të luhen më 26 nëntor dhe 5 dhjetor.
Kosova e siguroi praninë në plejof falë paraqitjeve shumë të mira në Ligën C të Ligës së Kombeve.
“Dardanet” e përfunduan Grupin 2 në pozitën e parë me 15 pikë, po aq sa pati edhe Kroacia, por me goldallim më të favorshëm.
Me këtë arritje, Kosova jo vetëm që siguroi një vend në playoff-in e Botërorit, por edhe ngjitjen në Ligën B, duke vijuar rritjen e saj në skenën ndërkombëtare.
Tashmë futbollistet kosovare i pret sfida e madhe ndaj Austrisë, me synimin për të hedhur edhe një hap tjetër drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës 2027.


