Presidenti i Federatës së Futbollit të Hungarisë, Sándor Csányi, ka konfirmuar në një intervistë për kanalin M4 Sport katër ndeshjet që Hungaria do t’i zhvillojë para Euro 2024 që do mbahet në Gjermani.
E njëri ndër kundërshtarët e hungarezëve siç edhe ka konfirmuar Csanyi pritet të jetë edhe Kosova.
Hungarezët e siguruan kualifikimin në Euro 2024 duke kryesuar me 18 pikë në grupin G, ndërsa Kosova nuk ia doli që ta bëjë realitet ëndrrën e kualifikimit në një turne të tillë për herë të parë.
“Dardanët” e mbyllën ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian 2024 me 11 pikë të grumbulluara duke u pozicionuar kësisoji në pozitën e parafundit në grupin I, ku nga aty kualifikimin e siguruan Rumania dhe Zvicra.
Gjatë kësaj jave sipas raportimeve pritet që të zyrtarizohet edhe përzgjedhësi i ri i Kosovës, andaj me shumë mundësi kjo ndeshje do të jetë testi i parë për të.
Sa i përket datës së ndeshjes dhe vendit ku do të zhvillohet, këto janë disa detaje që kanë mbetur ende për t’u sqaruar dhe nuk ka ende një njoftim zyrtar.
/Telegrafi/
sport,Hungari,kosova , Hungari,kosova