Real Madridi përmes një komunikate zyrtare ka konfirmuar lëndimin e mesfushorit anglez Jude Bellingham.
Bellingham u lëndua në sfidën e djeshme ndaj Gironës, aty ku arriti që të shënojë dy gola, mirëpo nuk ia doli që të kompletojë 90 minuta për shkak të lëndimit që e detyroi të lë fushën para kohës.
“Pas testeve të bëra sot në qendrën mjekësore të Real Madridit, lojtari ynë Jude Bellingham është diagnostifikuar me një ndrydhje të shkallës së lartë të kyçit të këmbës së majtë”, thuhej në njoftimin e klubit madrilen.
Sipas rezultateve të para, Bellingham pritet që të mungojë 2 deri në 3 javë, që do të thotë se gjatë kësaj kohë ai do të humbasë katër ndeshje.
Mesfushori anglez do të mungojë në sfidat ndaj Leipzigut, Rayo Vallecanos, Sevillas dhe Valencias, dhe qëllimi i tij kryesor është që të riaftësohet në kohë për ndeshjen e dytë ndaj Leipzigut në Ligën e Kampionëve.
Madrilenët kanë vuajtur shumë nga lëndimet këtë sezon, teksa momentalisht vlen të theksohet që nuk kanë në dispozicion asnjë qendërmbrojtës, pas lëndimeve të Antonio Rudiger dhe Nacho Fernandez.
Bellingham në anën tjetër, do të detyrohet të mbetet jashtë fushave pikërisht pasi e gjeti përsëri formën e mirë me gola dhe asistime. 20-vjeçari ka shënuar 16 gola dhe ka bërë tri asistime në La Liga, ndërsa ka katër gola të shënuar dhe tri asistime në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/
sport,Jude Bellingham,la liga,real madrid , Jude Bellingham,la liga,real madrid