Bregu i Fildishtë e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi 1-0 përballë Gjermanisë, në ndeshjen e raundit të dytë të Kampionatit Botëror 2026.
Gjermania e nisi më mirë sfidën dhe regjistroi rastin e parë serioz në minutën e 10-të, kur Kai Havertz provoi me kokë nga afër, por Yahia Fofana reagoi në mënyrë të shkëlqyer duke e mbajtur portën të paprekur.
Ekipi i drejtuar nga Julian Nagelsmann vijoi me presionin dhe iu afrua sërish golit në minutën e 18-të, kur Jamal Musiala u gjend në një pozicion të favorshëm, por tentativa e tij shkoi ngjitur me shtyllën e djathtë.
Gjermanët menduan se kaluan në avantazh në minutën e 21-të me Aleksandar Pavlovic, por gjyqtari e anuloi golin për një ndërhyrje të parregullt gjatë aksionit.
Pasi përballoi presionin e kundërshtarit, Bregu i Fildishtë nisi të bëhej gjithnjë e më i rrezikshëm në kundërsulme.
Gjithsesi, vetëm pak çaste më pas afrikanët gjetën golin e epërsisë. Pas një topi të kthyer brenda zonës, Franck Kessie reagoi më shpejt se të gjithë dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Gjermania u përpoq të kundërpërgjigjej deri në përfundim të pjesës së parë me Florian Wirtz, Jamal Musiala dhe Leroy Sane, por mbrojtja e disiplinuar e Bregut të Fildishtë arriti ta ruajë avantazhin.
Mundësinë më të mirë për ta thelluar epërsinë e pati Ange-Yoan Bonny në minutën e 38-të, por Manuel Neuer realizoi një pritje fantastike për ta mbajtur Gjermaninë ende në lojë.//


